Ngritje e nivelit të manganit në ujin e Badocit, qytetarët këshillohen të mos e përdorin për pije

08:49 | 2 Shtator 2025
E.K

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njoftojnë se gjatë monitorimit të cilësisë së ujit të pijshëm është evidentuar rritje e përqendrimit të manganit në mostrat e marra nga zonat që furnizohen nga Liqeni Akumulues i Badocit.

Në njoftim theksohet se, sipas analizave të fundit laboratorike, është vërejtur një tendencë në rritje e përqendrimit të këtij elementi si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse vlerat e identifikuara tejkalojnë kufirin e lejuar sipas Udhëzimit Administrativ nr. 10/2021 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu, deri më tani ato nuk e kanë kaluar pragun shëndetësor të konsideruar të rrezikshëm për shëndetin e njeriut.

IKSHPK apelon që qytetarët të mos e përdorin ujin për pije deri në një njoftim të ri. Ndotja me mangan është kimike dhe nuk eliminohet përmes vlimit, prandaj uji mund të përdoret vetëm për pastrim, higjienë personale dhe mirëmbajtje të ambientit.

“Vlen të theksohet se ndotja me mangan është ndotje kimike dhe si e tillë nuk eliminohet përmes vlimit të ujit. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, higjienë personale dhe mirëmbajtjen e ambientit të banimit. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës, përfshirë zvogëlimin e prodhimit të ujit me qëllim të ruajtjes së cilësisë, intensifikimin e procesit të shpëlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë linjat magjistrale dhe sekondare, si dhe organizimin e furnizimit alternativ me ujë të pijshëm përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të publikuar nga kompania”, thuhet në njoftim.

Zonat e prekura nga kjo situatë janë: Qyteza e Graçanicës dhe fshatrat përreth që furnizohen nga Liqeni i Badocit, Hajvalia, Veterniku, Lagja 038, Lagja Qëndresa, Qëndresa Home, Swiss Village, Preoc, Çagllavicë, rrugët Behar Begolli, Richard Holbrooke, Shkupi, Holger Petersen, Malush Kosova, lagjet Qershia, NIC, Matiçan (drejtimi nga Pallati i Drejtësisë), fshati ndërkombëtar, rruga Muharrem Fejza, Enver Maloku, Lagjja Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, Standardi, si dhe rrugët Ferat Dragaj, Hajrullah Abdullahu, Hilmi Rakovica, Vëllezërit Gërvalla, Afrim Zhitija, Armend Daci, Dervish Rozhaja, Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, rruga Sali Nivica, Norbert Jokl, si dhe objektet banesore në Bregun e Diellit në zonat Qendër dhe afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës “Ismail Qemali”, rrugët Mehmet Gradica, Hyzri Talla dhe Qamil Bala.

IKSHPK dhe KRU “Prishtina” ftojnë qytetarët që të ndjekin me kujdes njoftimet zyrtare dhe të respektojnë udhëzimet e dhëna deri në normalizimin e situatës.