Ngrihet aktakuzë ndaj një personi që tentoi të vriste bashkëshorten dhe vajzën e mitur për motive xhelozie

14:16 | 25 Nëntor 2025
E.K

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj B.G., i cili akuzohet se tentoi të vriste bashkëshorten dhe vajzën e saj të mitur me thikë.

Aktakuza ngarkohet për veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” sipas nenit 173 paragrafi 1 nënparagrafët 1.1, 1.3 dhe 1.11, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1.

Sipas aktakuzës, më datë 17.10.2025, rreth orës 00:10min, në banesën familjare në Prizren, pas një konflikti të çastit me motive xhelozie, i pandehuri B.G., e sulmon me thikë me gjatësi tehu prej 13 cm, bashkëshorten M.A., duke e goditur gjashtë herë dhe duke i shkaktuar dëmtime serioze të organeve të brendshme.

Gjithashtu, i pandehuri e godet me thikë edhe vajzën e mitur të viktimës, e cila kishte tentuar të ndërhynte, duke i shkaktuar lëndime të rënda në zonën e krahërorit dhe barkut. Lëndimet e shkaktuara ndaj të dy viktimave janë konfirmuar nga ekspertiza mjeko-ligjore e datës 24.11.2025.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./Arbresh.info