Ngrica në Kosovë: Policia apelon për kujdes e përdorim të pajisjeve dimërore

22:33 | 12 Janar 2026
E.G

Temperaturat e ulëta kanë krijuar ngrica dhe vështirësi në rrugët e vendit, veçanërisht në zonat malore dhe në rrugët dytësore. Megjithatë, rrugët e kryeqytetit mbeten të kalueshme, ndërsa Policia e Kosovës apelon për kujdes maksimal dhe përdorim të pajisjeve dimërore.

Ndonëse temperaturat e ulëta kanë shkaktuar ngrica dhe vështirësi në rrugë për këmbësorët dhe automjetet, rrugët e kryeqytetit mbeten të kalueshme.

“Normalisht duhet pasur kujdes gjatë këtyre kohëve të ftohta, sidomos kur ka reshje shiu dhe bore, por me kujdes të shtuar gjithçka është në rregull”, tha një qytetar.

Policia e Kosovës vazhdimisht kujdeset që pjesëmarrësit në komunikacion t`i kenë të gjitha pajisjet dimërore të nevojshme.

Ndërkohë gjatë ditës, pjesët malore dhe rrugët dytësore kanë qenë më të prekura nga ngricat.

Institucionet paralajmërojnë se temperaturat e ulëta do të vazhdojnë të jenë faktor rreziku për krijimin e ngricave, sidomos në orët e mëngjesit dhe gjatë mbrëmjes.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, thekson se duhet vëmendje e shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

“Nëse rruga është e lagësht, atëherë paraqitet i ashtuquajturi akull i zi. Ai krijon një shtresë akulli në sipërfaqen e rrugës, e cila duket e zezë dhe pikërisht në këto raste niveli i rrezikut është më i larti”, tha ai.

Në një përgjigje me shkrim për RTK, Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka bërë të ditur se ka apeluar te drejtuesit e automjeteve që të përshtatin shpejtësinë e ngasjes sipas kushteve të rrugës, të mbajnë distancë mes automjeteve dhe t`i përdorin pajisjet dimërore.

Apel të ngjashëm ka bërë policia gjatë gjithë ditës në të gjitha rajonet e Kosovës. Sipas raportimeve të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 5 aksidente trafiku, të gjitha vetëm me dëme materiale.

 

Shpërndaje në rrjete sociale