Nga 1815 premtime, 27 kryetar komunash përmbushën 918

12:11 | 8 Shtator 2025
E.H

Instituti GAP ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” vlerësimin përfundimtar rreth përmbushjes së premtimeve të kryetarëve të komunave të Kosovës për mandatin 2021–2025.

Sipas këtij raporti monitorues të këtij instituti del se, nga gjithsej 1815 premtime që kanë dhënë 27 kryetarë të komunave, për këtë mandat janë përmbushur 918 premtime, ndërsa 234 premtime janë gjysmë të përmbushura, 281 premtime janë të filluara dhe 382 premtime nuk kanë filluar ende së zbatuari.

Njëjtë si në vitet 2017-2021, sipas GAP-it, përqindja e përmbushjes së premtimeve nuk ka lëvizur.

“Ashtu si në mandatin e kaluar (2017-2021), kur ishin përmbushur 51% e premtimeve, edhe në mandatin aktual, shkalla e përmbushjes mbetet e njëjtë me 51%. Sipas fushave, më së shumti janë përmbushur premtimet në shëndetësi (66%), arsim (63%), administratë (58%) dhe në fushën sociale (55%). Ndërsa, më së paku janë përmbushur premtimet në urbanizëm (34%), infrastrukturë (37%) dhe shërbime publike (41%)”, thuhet tutje në raportin e GAP-it.

Sipas tyre, nga 382 premtimet që nuk kanë filluar të përmbushen, 98% e tyre janë përgjegjësi e nivelit lokal, ndërsa vetëm 2% kërkojnë koordinim ndërinstitucional për t’u realizuar.

“Në krahasim me mandatet e kaluara, mandati 2021–2025 shënon numrin më të madh të premtimeve të dhëna në zgjedhjet lokale. Konkretisht: në mandatin 2007–2009 janë dhënë 129 premtime, në mandatin 2009–2013 janë dhënë 530 premtime, në mandatin 2017–2021 janë dhënë 930 premtime, ndërsa në këtë mandat janë monitoruar dhe vlerësuar 1,815 premtime. Në fushatën e fundit zgjedhore, Instituti GAP nuk ka evidentuar asnjë premtim zgjedhor në dhjetë komunat e banuara nga komuniteti serb dhe në Komunën e Mamushës, për shkak se kandidatët për kryetarë në këto komuna nuk kanë dhënë premtime gjatë fushatës zgjedhore”, thuhet tutje në komunikatën e këtij instituti pas publikimit të raportit monitorues.

Kanë treguar se përmes projektit “Letërnjoftimi i Komunave”, do të vazhdojë monitorimin e përmbushjes së premtimeve edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës 2025-2029./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale