Nesër fillon fushata për Atësi pozitive

18:01 | 14 Maj 2015
M. A.

Në kuadër të projektit Iniciativa e Djemve të Rinj në Kosovë, PEN së bashku me CARE international e hapin fushatën për Atësi pozitive, me mbështetje nga Ambasada suedeze, Agjencia austriake për Zhvillim, UNFPA dhe UNICEF.

Fushata për Atësi do të fillojë nesër për “Ditën Ndërkombëtare të Familjes”, e me prezencë të Ambasadës suedeze, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë, UNFPA-së e UNICEF-it.

Hapja bëhet në Prishtinë në orën 10.00 në Bregun e Diellit, më saktë në Bunker, rruga Mehmet Dragica pn, Laboratori i Inovacioneve të UNICEF-it.

Përafërsisht katër nga pesë burra në të gjithë botën do të bëhen etër në një pikë të jetës së tyre. Dhe gati të gjithë burrat e botës kanë njëfarë raporti me fëmijët, qoftë si njerk, vëlla, xhaxha, gjysh, mësues, mentor, trajner, apo thjeshtë si shok.

Një numër i madh dëshmish në rritje e sipër nga Global South dhe Global North konfirmon që përfshirja e burrave dhe etërve të përgjegjshëm në jetën e fëmijëve është pozitive për fëmijët, për gratë dhe për vetë burrat.

Në nivel global, gratë dhe vajzat vazhdojnë të mbajnë barrën kryesore të punëve të shtëpisë, edhe pse ato përfaqësojnë 40% të fuqisë së paguar punëtore. Pjesëmarrja e kufizuar e burrave në përkujdesje (përkujdesje të fëmijëve dhe për të tjerët në familje) vazhdon të jetë pengesë kryesore e barazisë gjinore dhe e fuqizimit të grave, duke i mbajtur të ardhurat e grave më të ulëta sesa të burrave.

Në Kosovë, ky koncept është relativisht i ri, sidoqoftë ka gatishmëri në mesin e etërve të rinj që të involvohen në rritjen dhe përkujdesjen e fëmijës së tyre.

Fushata do të fillojë me fjalë rasti nga vendimmarrës të ndryshëm, do të shfaqet ekspozita e fotografive nga Ambasada suedeze dhe nga projekti Iniciativa e Djemve të Rinj. Ajo do të vazhdojë ditën e shtunë e të diele në Sheshin “ Zahir Pajaziti” ku do të diskutohet më prindër dhe pjesëmarrës rreth rëndësisë së involvimit të etërve në edukim dhe rritjen e fëmijës.

Shpërndaje në rrjete sociale