Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka dhënë detaje të punës së saj të kryer gjatë vitit 2024.
“Kolegjiumi Profesional i Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në QKUK, duke u bazuar në parimet e transparencës dhe përgjegjësisë profesionale, njofton opinionin publik mbi punën dhe përkushtimin e stafit mjekësor, mjekëve, mamive dhe infermierëve në ofrimin e kujdesit shëndetësor për të gjitha gratë dhe nënat në Republikën e Kosovës. Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës është i vetmi institucioni terciar referues në nivel vendi, ku trajtohen një numër i madh rastesh të natyrës gjinekologjike dhe obstetrike, përfshirë edhe rastet e komplikuara që referohen nga institucionet tjera shëndetësore publike dhe private”, thuhet në njoftim.
Sipas statistikave të kësaj klinike mbi 5 mijë gra kanë kryer lindje normale në këtë klinikë, ndërsa mbi 2 mijë kanë kryer lindje cezariane, raporton Arbresh.info.
“Të dhëna kryesore për vitin 2024:Paciente të hospitalizuara dhe trajtuara: 20,836; Lindje gjithsej: 8,114; Lindje normale : 5,773; Me prerje cezariane: 2,341; Operacione të mëdha gjinekologjike: 2,972; Intervenime kirurgjike me anestezion intravenoz të shkurtër: 1,899; Intervenime me anestezion lokal: 212; Paciente me trajtim konservativ: 7,639, si dhe Vizita ambulatore: 35,872”, thuhet në njoftimin e Klinikës Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.
Këto të dhëna, sipas kësaj klinike, reflektojnë nivelin e lartë të shërbimeve dhe përkushtimin profesional të stafit mjekësor në kujdesin ndaj shëndetit të gruas dhe fëmijës.
“Kolegjiumi Profesional shpreh gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me të gjitha pacientet dhe familjarët e tyre në drejtim të përmirësimit të cilësisë së kujdesit. Ne mirëpresim çdo sugjerim, rekomandim apo edhe ankesë që bëhet në mënyrë konstruktive dhe me qëllim të avancimit të shërbimeve shëndetësore”, thuhet tutje në njoftimin e klinikës.
“Ftojmë të gjitha gratë, nënat dhe pacientet që marrin trajtim në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, që në rast të ndonjë pakënaqësie apo shqetësimi, të drejtohen në mënyrë të rregullt dhe me shkrim: Tek Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës; Tek Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave të Pacientëve- QKUK/ShSKUK; Apo edhe tek organet e tjera kompetente në nivel vendi. Ne besojmë se vetëm përmes bashkëpunimit dhe komunikimit të ndërsjellë mund të arrijmë standarde edhe më të larta të trajtimit dhe kujdesit ndaj çdo pacienteje”, thuhet tutje në njoftim.
Kjo klinikë ka bërë apel për qetësi, informim të drejtë dhe raportim profesional
“Në këtë drejtim, Kolegjiumi Profesional i bën thirrje të gjithë qytetarëve, veçanërisht grave dhe familjeve të tyre, që të kërkojnë informacion të saktë dhe të bazuar në fakte, si dhe të konsultohen me profesionistët shëndetësorë për çdo shqetësim lidhur me trajtimin ose kujdesin e ofruar. Po ashtu, i ftojmë të gjitha mediat që raportojnë mbi rastet e natyrës shëndetësore, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë trajtimit të tyre, duke u bazuar në fakte të verifikuara dhe situata reale. Raportimi profesional, i paanshëm dhe i saktë është thelbësor për ruajtjen e besimit publik dhe për mbrojtjen e dinjitetit të pacienteve, punonjësve shëndetësorë dhe sistemit shëndetësor në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në QKUK.
Kolegjiumi Profesional i Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij – të ofrojë shërbime cilësore, humane dhe të sigurta për secilën paciente, në çdo kohë./Arbresh.info/
Shorti i Botërorit 2026: Për herë të parë do të përmenden Ko...
Kërkoi kohë për t’u njohur me aktet, sot seanca paraprake në...
Putin: Rusia do ta marrë Donbasin me forcë nëse trupat ukrai...
Joseph: Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund ta përballojë të arm...
OVL e UÇK-së thërret konferencë për media
Superheronjtë zbresin sot në QKUK me dhurata dhe buzëqeshje ...