Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi të enjten Komunën e Vitisë, ku u takua me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe me Qeverinë komunale.
Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministrat Hykmete Bajrami, Lutfi Zharku, Imet Rrahmani dhe zëvendësministri Bajram Gecaj, së bashku me kryetarin e Vitisë përuruan edhe Emergjencën e re në këtë Komunë.
Pas takimit me kryetarin e Komunës dhe Qeverinë komunale të Vitisë, në një konferencë për gazetarë kryeministri Isa Mustafa shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë në Viti, një komunë e cila, siç u shpreh kryeministri, i ka të qarta objektivat dhe i ka të qarta kërkesat të cilat synon t’i realizoj në periudhën e ardhshme kohore.
“Unë jam i vetëdijshëm se nevojat në një Komune siç është Vitia janë shumë të mëdha, që shtrihen nga problemet e punësimit, çështjet sociale, problemet e infrastrukturës rrugore, infrastrukturës shkollore, kulturore, çështjet e vërshimeve të cilat po përsëriten vit pas viti në këtë komunë”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi se është arritur në një situatë ku duhet të fuqizohet roli i komunave në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe se ky fuqizim nuk mund të bëhet vetëm përmes deklaratave, por se duhet të bëhen ndryshime sistemore të cilat qeverisjen lokale do ta bëjnë më të fuqishme në disa fusha veçmas në fushën e zhvillimit ekonomik.
“Sepse një sinergji e cila duhet të sigurohet ndërmjet pushtetit qendror dhe pushtetit lokal në tërheqjen e investitorëve të huaj, dhe në krijimin e një ambienti më të volitshëm ekonomik, është ajo që do të mundësoj punësim më të madh, zgjidhjen e problemeve sociale dhe perspektiven për qytetarët tanër”, theksoi kryeministri.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, falënderoi kryeministrin Mustafa dhe anëtarët e kabinetit qeveritar për nderin që i kanë bërë Vitisë me vizitën e tyre.
“Natyrisht fokusi ynë sot ishte në sfidat që i kemi, në projektet të cilat nuk mund t’i përballojmë si Komunë, problematikat të cilat janë të gjithmbarshme, qoftë sa i përket lumit Morava dhe vërshimeve të tij, qoftë sa i përket aspektit arsimor, sidomos shkollës së Pozharanit që e kemi në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë, qoftë projekteve për bujqësi dhe zhvillimore”, u shpreh kryetari Haliti, duke falënderuar kryeministrin Mustafa për përkrahjen e ofruar.
Ndërkaq, gjatë përurimit të Emergjencës së re në Viti, kryeministri Isa Mustafa, uroi të pranishmit e shumtë në këtë ceremoni, për këtë objekt tepër të rëndësishëm.
“Një popull i shëndoshë është një popull më perspektivë ekonomike, me perspektivë kulturore, me perspektivë sociale dhe do të bëjmë çdo gjë që qytetarëve tanë t’ju ofrojmë shëndet të mirë, t’ju ofrojmë kushte të mira të trajtimit shëndetësor dhe ndërhyrje të shpejta emergjente që do të jetë roli i kësaj qendre këtu”, tha kryeministri Isa Mustafa gjatë ceremonisë./Arbresh.info/
Faton Peci betohet si kryetar i Mitrovicës së Jugut
5.8 milionë euro për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos...
Forcohet bashkëpunimi mes Prokurorisë dhe Departamentit Amer...
Përparim Rama mbështet “protestën gjithëkombëtare” në RMV: S...
Shkon në dy numri i viktimave të aksidentit në “Ibrahim Rugo...
Rrëzohet kërkesa për modifikimin e dënimit të Haxhi Shalës