Në janar mund të themelohet Gjykata Speciale!

19:06 | 1 Qershor 2015
M. A.

Burime të Televizionit Dukagjini kanë bërë të ditur se Gjykata Speciale, nuk do të mund të krijohet para janarit të vitit të ardhshëm.

Procedura ligjore, por edhe mospajtimet ndërkombëtare për karakterin e Gjykatës, kanë bërë që ajo të mos mundet të nis punën as gjatë këtij viti, ndonëse ishte menduar se do të jetë e gatshme qysh në janar të vitit 2015.

Kurdo që të krijohet Gjykata, sipas avokatit Arianit Koci, ajo do të shkel sovranitetin e Kosovës dhe do të krijojë sistem paralel të drejtësisë.

“Padyshim se krijon sistem paralel. Së pari, në këtë gjykatë nuk do të gjykojnë gjyqtarët shqiptarë e as prokurorët shqiptarë. E dyta, nuk do të punohet me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës. Dhe, e treta, e kemi rastin e dëshmitarëve të mbrojtur. Së fundi, gjithçka është në procesin e negociatave e ende nuk e dimë se ku të burgosurit dhe të paraburgosurit do të jenë”, ka thënë Koci.

Mbështetësit e votimit pro themelimit të Gjykatës speciale në Kuvendin e Kosovës, kanë thënë se nëse një gjë të tillë nuk e bënë Kosova, atëherë këtë do ta bëjë OKB. Sipas Kocit, nuk ka asgjë të keqe nga një veprim I tillë.

“Në supozimin se gjykatat janë të pavarura, nuk ka ndonjë dëm nëse kjo bëhet në Këshillin e Sigurimit, pra nën OKB. E dini rastin e Haradinajt e Limajt, të cilët janë liruar. Përndryshe, për krijimin e Gjykatës Speciale duhet të ketë një konsensus nacional, nga pozita dhe opozita. Para se kjo të shkojë në OKB – e që nuk besoj se do të shkojë shumë shpejt – ka hapësirë që të negociohet që aty të futen edhe gjyqtarë shqiptarë, sepse ne njohim kontekstin. Kështu, çdo vendim eventual i Gjykatës Speciale do të jetë më kredibil nëse pjesë e saj do të jenë edhe disa shqiptarë”.

Avokati tjetër, Dastid Pallaska, ka thënë për TV Dukagjinin se krijimi i gjykatës është bartje e sovranitetit tek një mekanizëm ndërkombëtar. Sipas tij, Qeveria nuk duhet të frikësohet, por duhet ta pranojë një gjë të tillë, pasi është veprim konform Kushtetutës.

“Baza ligjore për themelimin e Gjykatës është neni 20 i Kushtetutës së Kosovës, ku e sheh delegimin e një pjesë të sovranitetit të saj në organizatat të ndryshme ndërkombëtare gjatë procesit të integrimit evropian”, ka thënë Pallaska.

Për krejt këto, sipas tij, dikush duhet të japë përgjegjësi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale