Ndërpritet mbledhja e Këshillit të Sigurimit, Rusia kërkon që Gërvalla të heq flamurin e Kosovës

16:50 | 13 Prill 2021

Flamuri i Kosovës është bërë shkaktar i ndërprerjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po diskutohej për Kosovën.

Përfaqësuesi i Rusisë, Dmitry Polyanskiy, kërkoi nga udhëheqësi i seancës që përfaqësuesja e Kosovës, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla të heq flamurin e Kosovës mbrapa saj.

“Ne nuk jemi kundër ndaj përfaqësuesve të Kosovës, megjithatë dua të ndaj faktin që zonja Donika Gërvalla është ulur para flamurit të Kosovës. Kosova nuk është e njohur si shtet i pavarur, prandaj kërkojmë që për të vazhduar prezantimin ajo ose të ndryshojë ambientin, ose të heq flamurin në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha përfaqësuesi rus Polyanskiy.

Ndërkaq, presidenti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka suspenduar mbledhjen e hapur virtuale për Kosovën për konsultime të mbyllura pas kërkesës së Rusisë.

Ndaj kësaj kërkese të Rusisë, ka reaguar përfaqësuesi i Britanisë së Madhe duke thënë se nuk shohin arsye që të kryediplomatja kosovare të ndryshojë pamjen nga ku do të prezantojë.

“Ky nuk është një takim zyrtar dhe ne nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjet mbrapa për të vazhduar prezantimin”, tha përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, shkruan Telegrafi.

Për ndërprerjen e kësaj mbledhje ka shkruar në Twitter edhe gazetarja e Al Jazeera.

“Presidenti i Këshillit të Sigurimit pezullon takimin virtual për Kosovën, për shkak se përfaqësuesi i Rusisë pati kundërshtime pasi që flamuri i Kosovës shihej mbrapa ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla”, ka shkruar gazetarja.

Lajmet më të lexuara