MPJD pas lirimit të Arbnor Spahiut: Akuzat e ngritura nga autoritetet e Serbisë kanë qenë të motivuara politikisht

11:49 | 22 Nëntor 2025
E.K

Ka reaguar pas lirimit të Arbnor Spahiut Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila ka konfirmuar se shtetasi i Republikës së Kosovës është liruar nga paraburgimi në Serbi, ku ishte mbajtur për një periudhë të zgjatur nën akuza të pabazuara për ngjarjet e Banjskës të vitit 2023.

Ministria thotë se gjatë gjithë kohës është kërkuar respektimi i të drejtave elementare të Spahiut dhe i standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.

“Që nga dita e parë e arrestimit të tij, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës së bashku me institucionet tjera gjegjëse, kanë ndjekur nga afër rastin dhe kanë ofruar mbështetjen e nevojshme, duke insistuar vazhdimisht që ndaj tij të respektohen të drejtat themelore të njeriut dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë”.

“MPJD rithekson se akuzat e ngritura nga autoritetet e Serbisë kundër z. Spahiu kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, ndërsa paraburgimi i tij i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë. Lirimi i z. Spahiu konfirmon qartazi se pretendimet e Serbisë lidhur me rastin në fjalë nuk kanë qëndruar dhe se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve tanë është praktikë që duhet të marrë fund”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

 

Ish-polici Arbnor Spahiu lirohet nga burgu në Serbi