Monitoruesit presin që PZAP ta shfuqizojë vendimin për Listën Serbe

13:32 | 23 Gusht 2025
E.K

Lista Serbe, e cila nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Monitorues të proceseve zgjedhore e njohës të rrethanave politike thonë se vendimi i marrë në KQZ u bë për qëllime politike dhe se i njëjti do të shfuqizohet nga PZAP-ja.

Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendosi në mbledhjen e së enjtes që të moscertifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e subjektit më të madh politik serb në vend, duke theksuar se kjo parti politike ka trashëgimi dhe të tashme terroriste.

Nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresë kanë bërë të ditur për Radio Kosovën se “është parashtruar një ankesë nga subjekti politik Lista Serbe kundër vendimit të KQZ-së për moscertifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të datës 12 tetorit”.

Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, organizatë që monitoroi mbledhjen e KQZ-së, ku nuk u certifikua Lista Serbe, thotë se certifikimi nuk ndodhi, ndonëse u rekomandua nga Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike në KQZ. Sipas tij, moscertifikimi i partisë serbe po shfrytëzohet për qëllime politike e vota.

“Ne një situatë të tillë e kemi pasur edhe për zgjedhjet e fundit parlamentare. Pavarësisht që KQZ-ja nuk arriti të votojë certifikimin e Listës Serbe, ky subjekt ka të drejtë ankese dhe unë besoj se PZAP-i i shikon vetëm çështjet faktike, ligjore e procedurale. Dhe, nëse këto kushte përmbushen, atëherë PZAP do të vendosë dhe do të japë urdhër që menjëherë KQZ-ja të certifikojë këtë subjekt dhe ta lejojë që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale”, tha ai.

Edhe juristi Ehat Miftartaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se moscertifikimi i Listës Serbe, u bë për kalkulime politike, por që sipas tij, vendimi i KQZ-së do të shfuqizohet nga PZAP.

“Fatkeqësisht ajo që ndodhi është një dredhi politike për të mashtruar opinionin publik, por me veprime të tilla të papërgjegjshme ajo që më së shumti e kënë bërë është se e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Zgjedhjet dhe kanë vepruar në kundërshtim me kërkesat e miqve ndërkombëtarë siç janë SHBA-ja e BE-ja”, tha Miftaraj.

Ndërsa, analisti politik, Blerim Burjani, thotë se janë shqetësuese tendencat për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Lista Serbe derisa nuk shpallet organizatë terroriste nuk ka gjasa të mos certifikohet. Çka të bëhet në kundërshtim me këtë, atëherë vetëm është duke u thyer ligji. Po ashtu, nuk duhet të politizohet KQZ-ja si një organ që ligjërisht nuk është i politizuar dhe nuk do të duhej t’i përgjigjej asnjë partie”, tha ai.

Në KQZ, një vendim për moscertifikimin e Listës Serbe ishte marrë edhe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, i cili më pas ishte rrëzuar nga PZAP, çka ia kishte mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në votime.

Shpërndaje në rrjete sociale