Miratohet komisioni i KQZ-së për procesin zgjedhor në Mitrovicë dh Gjakovë

18:08 | 12 Nëntor 2025
E.H

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 79-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Në fillim të mbledhjes, kryesuesi Radoniqi njoftoi se gjatë ditës, KQZ ka pranuar edhe një raport nga kompania që ka shtypur fletëvotimet për të gjitha komunat që i kanë pranuar dhe i saktësojnë të gjitha gabimet në të gjitha dengjet e fletëvotimeve të printuara, ku rezulton se në këto dengje janë votat e fundit apo dy votat e fundit, që kanë pasur numra të vendvotimeve të ndryshme, por edhe disa prej tyre të zbrazëta.

Po ashtu, Radoniqi bëri të ditur se ky raport do të jetë pjesë përbërëse e raportit që do të përgatitet nga Komisioni, për formimin e të cilit vendosi KQZ.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për themelimin e një komisioni për vlerësimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të fletëvotimeve në vendvotime për zgjedhjet e raundit të dytë për Kryetar të komunave Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovës.

Sipas vendimit të KQZ-së, Komisioni do të bëjë vlerësimin dhe verifikimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së tyre në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas pranimit nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.

Po ashtu, puna e këtij komisioni do të jetë në funksion të përgjigjes për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas ankesës së parashtruar në këtë institucion lidhur me zgjedhjet e raundit të dytë për Kryetar të Komunës në Mitrovicën e Jugut.

LEXO EDHE:

Fletëvotimet e dyshimta në Mitrovicë, Radoniqi: E vetmja mënyrë është hapja e kutive

Shpërndaje në rrjete sociale