Miratohen në parim ndryshimet ligjore që lidhen me suspendimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

10:30 | 14 Qershor 2021

Kuvendi i Kosovës me 73 vota ‘për’ ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu,  deklaroi se ligji i aktual ka qenë i shoqëruar me një lëshim, përmes të cilit ka qenë e pa mundur suspendimi i tyre kur është iniciuar procedurë disiplinore.

“Ka për qëllim evitimin e të metave dhe problemeve të hasura në praktikë. Drafti i tillë nuk ka implikime buxhetore”, është shprehur ministrja Haxhiu.

Kryetari i komisionit funksional, Adnan Rrustemi, i rekomandoi seancës miratimin e këtyre ndryshimeve, shkruan arbresh.info.

“Përcakton shkeljet disiplinore, sanksionet dhe mjetet juridike që lidhen me shkeljet disiplinore. Lëshimi gjuhësor ka ngatërru shkeljet disiplinore me shkelje penale. Rritet llogaridhënia dhe ruajtja e kredibilitetit të sistemit të drejtësisë”, është shprehur Rrustemi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se nuk janë ndryshime të mëdha por tregon se po implementohet.

“Kur e kam propozu Vetëvendosje nuk i kishte përkrahë këto ndryshime, dhe sot po i mbroni dhe po i jepni përkrahje, po m’vje mirë. Duhet të përkrahet nga të gjithë”, është shprehur Tahiri.

Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, është projektligji i dytë i Ministrisë së Drejtësisë që ndryshon nga një fjalë ose fjali.

“Kërkojmë nga Qeveria që të procedojë projektligjin me akte normative. Në këtë fazë i japim mbështetje”, deklaroi Selmanaj.

Kuvendi po shqyrton Raportin vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020.

Ndërsa si pikë tjetër është edhe debat parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara