Ministria e zgjat afatin e aplikimit për subvencionim të blerjes së pajisjeve efiçiente për ngrohje

13:38 | 26 Nëntor 2022

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se është zgjatur afati për aplikim për Fazën 1 për subvencionim të efiçiencës së energjisë.

Sipas ME’së, zgjatja e afatit është bërë pas kërkesave të shumta të qytetarëve.

Ministria ka ftuar të gjithë qytetarët e interesuar për aplikim që sa më parë të kryejnë këtë proces në mënyrë që të jenë përfitues të subvencionit.

Aplikimi për këtë skemë bëhet përmes platformës E-Kosova, ku fillimisht duhet të plotësohet një formular e pastaj të dorëzohet edhe fatura, në mënyrë që të përfitohet nga subvencionimi.

Për kaldajat me biomasë – dru, pelet, briket – qeveria do të subvencionojë deri në 70% të investimit, për pompat termike deri në 30%, për kondicionerët efiçientë deri në 40% dhe për stufat individuale me biomasë deri në 90% për qytetarët që përfitojnë nga skemat e ndihmës sociale dhe deri në 70% për qytetarët e tjerë.

Njoftimi i plotë:

Prishtinë, 26 nëntor 2022 – Ministria e Ekonomisë njofton të gjithë qytetarët e interesuar për aplikim në Thirrjen e Dytë publike për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët 03/2022, se ka vendosur të zgjasë afatin për aplikim për Fazën 1 deri më 2 Dhjetor 2022.

Zgjatja e afatit bëhet duke u bazuar në kërkesat e shumta të qytetarëve të cilët, përkundër interesimit nuk kanë arritur të aplikojnë në Fazën 1 brenda afatit të përcaktuar.

Andaj duke u bazuar në Ligji Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Ministria e Ekonomisë, ka vendosur që palëve të interesuara t’ua mundësojë realizimin e kërkesave për subvencionim, respektivisht arritjen e objektivit të kësaj Thirrje. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale