Ministri austriak: Kosova të ndërpres aksionet policore në objektet komunale në veri

15:28 | 23 Qershor 2023
Emir Abduramani

Alexander Schallenberg, ministër i Punëve të Jashtme i Austrisë, është deklaruar rreth zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Në një prononcim për portalin serb të Kosovës, “Kosovo Online”, Schallenberg vlerësoi se situata në veri të Kosovës është jo stabile dhe për këtë gjendje jo stabile, Schallenber e drejtoi gishtin nga Kosova, duke thënë se përgjegjësia tani bie mbi Prishtinës.

Ai ka bërë thirrje të dyja palëve që të marrin masa urgjente konkrete për të de-përshkallëzuar situatën dhe për t’u riangazhuar në dialog.

“Pritjet e BE-së dhe Austrisë janë të qarta, posaçërisht drejtuar Kosovës, që janë ndërprerja e aksioneve të policisë rreth objekteve komunale në veri, të cilët duhet të sigurohen që kryetarët e kryejnë punën e tyre në lokacione të tjera dhe organizojnë zgjedhje të reja sa më shpejt që të jetë e mundur, në të cilat presim pjesëmarrjen e serbëve në veri të Kosovës.” – deklaroi ai.

Ai tha se të dyja palët tani duhet të ndërmarrin hapa për t’i dhënë fund krizës dhe të punojnë për një zgjidhje të qëndrueshme brenda dialogut, nën udhëheqjen e Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Për këtë arsye, shefi i diplomacisë austriake e përshëndeti faktin që presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në bisedimet e djeshme në Bruksel, ranë dakord për nevojën për zgjedhje të reja në katër komuna në veri të Kosovës.

Në anën tjetër, ai ka deklaruar se arrestimi i policëve të Kosovës është i papranueshëm.

“Status quo-ja nuk mund të mbahet dhe Prishtina duhet të kuptojë se është e nevojshme të krijohet një situatë ku të gjithë të ndihen të sigurt”, tha Schallenberg.