Miftaraj: Policia, AKI-ja dhe Prokuroria duhet të zbulojnë nëse tre serbët e arrestuar ishin agjentë të shërbimit sekret serb

23:44 | 28 Shkurt 2022
A Z

Të premten në Prishtinë janë arrestuar tre serbë të cilët u kapen në një nga lokalet duke blerë emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës .

Por, të njëjtit pas ndalimit prej 48 orë u liruan.

E lidhur me këtë rast Ehad Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha në Klan Kosova se institucionet që merren me zbatimin e drejtësisë duhet që të gjejnë mënyra në rrugë ligjore për të zbuluar nëse tre serbët ishin agjentë të shërbimit sekret të Serbisë.

“Ne e dijmë që po thuajse në çdo raport ndërkombëtar, në çdo raport të shoqërisë civile vazhdimisht potencohet se ka mungesë të koordinimit mes institucioneve që zbatojnë drejtësinë në këtë rast Policia, AKI-ja dhe Prokuroria. Dhe nëse kjo ka ndodhur për shkak të këtij keqkomunikimi unë besoj që institucionet kompetente do të duhet që të kërkonin brenda rrugëve ligjore pse ka ndodhur lirimi i tyre dhe nëse ka pasur bazë se të njëjtit kanë qenë agjent të sherbimit sekret serb apo kanë bërë veprimtari që mund ta cenojnë rendin kushtetues dhe juridik në Kosovë”.