Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë kanë marrë vëmendje të gjerë nga mediat më të mëdha ndërkombëtare, të cilat raportojnë për një fitore të qartë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti, pas muajsh bllokimi politik dhe mungese të funksionimit të plotë të institucioneve.
Agjencia Reuters thekson se Kurti ka premtuar formimin e shpejtë të një qeverie të re, pasi partia e tij ka fituar rreth gjysmën e votave. Sipas Reuters, kjo fitore mund t’i japë fund krizës politike njëvjeçare që ka paralizuar parlamentin dhe ka vonuar marrëveshje të rëndësishme financiare me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore. Megjithatë, Reuters duke cituar analistët vlerëson se ende mbetet e paqartë nëse Vetëvendosje mund të qeverisë e vetme apo do të ketë nevojë për një koalicion të vogël.
Televizioni publik gjerman ZDF raporton se Vetëvendosje ka fituar rreth 49,4 për qind të votave, duke lënë pas partitë kryesore opozitare PDK dhe LDK. ZDF e lidh suksesin e partisë në pushtet me aftësinë e saj për mobilizim, si dhe me faktin që zgjedhjet u mbajtën në fund të vitit, kur shumë kosovarë nga diaspora, veçanërisht nga Evropa Perëndimore dhe Gjermania, kishin ardhur në Kosovë dhe tradicionalisht e mbështesin Vetëvendosjen.
Edhe agjencia Associated Press flet për një fitore bindëse të Kurtit, duke theksuar se kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 që Kosova përjetoi një bllokim të tillë politik pas zgjedhjeve të shkurtit. AP vë në dukje se rezultatet i japin Kurtit një mandat të ri të fortë, ndonëse mbetet për t’u parë nëse ai do të sigurojë 61 votat e nevojshme për të qeverisur i vetëm. Media amerikane përmend gjithashtu sfidat ekonomike, zgjedhjen e presidentit të ri dhe marrëdhëniet e tensionuara me BE-në dhe SHBA-në.
Nga ana tjetër, BBC e cilëson rezultatin si një “fitore dërrmuese” për Vetëvendosjen dhe një përgjigje të qartë të elektoratit ndaj muajve të bllokimit institucional. Sipas BBC-së, votuesit kanë zgjedhur të mbështesin Kurtin, pavarësisht kritikave për qasjen e tij ndaj opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Media britanike thekson se, edhe pse Kurti do të ketë nevojë për mbështetjen e deputetëve të pakicave, ai tani ka një pozicion shumë më të fortë për të formuar qeverinë dhe për të zhbllokuar proceset kyçe politike dhe ekonomike.
Putin nënshkruan ligjin që i lejon Rusisë të injorojë vendim...
VV e PDK zyrtarizojnë koalicionin në Podujevë një ditë pas z...
Duka komenton raportin me Tifozat Kuq e Zi: I kemi prishur p...
Rama: Vlonjatëve të mi u kërkoj ndjesë, pajisjet që duhen po...
Numërimi vazhdon: Arian Tahiri i dyti deri tash me më së shu...
Përditësohen rezultatet në KQZ, këta janë TOP 10 më të votua...