Me zgjedhje në veri, Lista Serbe synon t’i sanojë dëmet nga sulmi terrorsit në Banjskë

18:45 | 13 Tetor 2023
E.K

Pasi që për muaj të tërë kushtëzoi pjesëmarrjen në zgjedhje, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit – Lista Serbe, më 13 tetor ka deklaruar se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës.

“…Të stimulojmë procesin politik dhe dialogun që do të kontribuonte në përmbushjen e kushteve tona, të cilat i kemi theksuar disa herë deri më tani”, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Mirëpo, këtë herë ai nuk përsëriti se cilat ishin ato kushte, por tha se “kërkojmë nga Prishtina që sa më parë të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë të rinj dhe këshilltarë të rinj në të katër komunat e veriut”.

Në fund të qershorit, Rakiq kishte thënë se kushtet për pjesëmarrje në zgjedhje ishin “tërheqja e njësive speciale të Kosovës, amnistia e të gjithë serbëve të arrestuar që morën pjesë në barrikada apo protesta dhe dorëheqja e kryetarëve shqiptarë”.

“Dhe, sigurisht kushti i të gjitha kushteve është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe”, kishte deklaruar Rakiq më 22 qershor.

Qëndrimi i Prishtinës zyrtare ka qenë se zgjedhjet në katër komuna me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – mund të shpallen vetëm në bazë të një peticioni për shkarkimin e kryetarëve.

Aktualisht, në komunat në veri kryetarët e komunave janë shqiptarë, sepse serbët bojkotuan zgjedhjet lokale në prill.

Pastaj popullata vendase serbe kundërshtoi hyrjen me ndihmën e policisë të kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, kur serbët u përplasën me pjesëtarët e misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë.

Lideri i Iniciativës Qytetare Mbijetesa serbe, Aleksandar Arsenijeviq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se përfaqësuesit e Listës Serbe janë pajtuar rreth “amnistisë së tyre”, dhe se për këtë kanë vendosur që të “shkojnë në zgjedhje pa kushte”.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të komunës së Zveçanit, me ç’rast u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Ndërsa gjatë përleshjes me policinë u vranë tre sulmues./rel