ME ofron asistencë teknike komuniteteve pakicë dhe qytetarëve në nevojë për aplikim në subvencionin për efiçiencë të energjisë

20:26 | 25 Nëntor 2022

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot ka vizituar Qendrën për Punë Sociale në Fushë Kosovë ku është pritur nga Zëvendësdrejtori i kësaj qendre, Isak Zogjani si dhe përfaqësues nga Opre Roma Kosovo, Driton Berisha, Sebastian Serifovic dhe Kimete Gashi.

“Ministrja Rizvanolli në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale dhe organizatën OPRE ROMA Kosovo janë duke punuar intensivisht për të ju ndihmuar familjeve të komunitetit rom dhe qytetarëve në nevojë që të përfitojnë nga subvencioni për efiçiencë të energjisë i Ministrisë së Ekonomisë, duke i ndihmuar ata përgjatë fazave të aplikimit në platformën e-Kosova”, thuhet në komunikatën për media

Vetëm gjatë ditës së sotme në Qendrën për Punë Sociale në Fushë Kosovë u është dhënë asistencë 50 familjeve për të aplikuar për subvencion të efiçiencës së energjisë.

Gjatë takimi është diskutuar rreth mbështetjes teknike që po u jepet komuniteteve pakicë përgjatë procesit të aplikimit për të përfituar nga subvencioni i Ministrisë së Ekonomisë si dhe është potencuar se, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në vazhdimësi për fuqizim të komuniteteve dhe barazi gjithëpërfshirëse në shoqëri.

Në fund, Ministrja Rizvanolli ka njoftuar përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale në Fushë Kosovë dhe përfaqësuesit e Organizatës PRE ROMA Kosovo që faza e parë e aplikimit e cila është paraparë të mbyllet sot, do të mbetet e hapur deri më datën 2 Dhjetor. ​/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale