Mbrojtja e rastit “Drenica 1” pret lirimin e të akuzuarve

17:22 | 29 Prill 2015
M. A.

E ka dhënë fjalën e tij përfundimtare në rastin “Drenica 1” avokati Gani Rexha, mbrojtës i të akuzuarit Avni Zabeli.

“Sot para këtij trupi gjykues shtrohet çështja e fajësisë apo pafajësisë së këtyre burrave të Kosovës të cilët luftuan me moton ‘Besa besë, më mirë po vdes unë se të vdes Kosova’. Luftuan me pushkë në dorë jo për interesa personale, por për ta mbrojtur një popull të tërë nga një gjenocid i vërtetë që ushtrohej ndaj tij me të vetmin qëllim, zhdukjen e tij. Këta burra luftuan për lirinë që po e gëzojmë, kurse sot të ulur në bankën e të akuzuarve luftojnë për pafajësi dhe drejtësi”, ka thënë Rexha.

Ai ka theksuar se në bazë të të gjitha dëshmive të deritashme, nuk është vërtetuar fajësia e klientit të tij dhe ka kërkuar lirimin nga aktakuza.

Ngjashëm janë shprehur edhe avokatët e Sabit Gecit dhe Jahir Demakut, Haxhi Millaku e Mexhit Syla.

Ata në fjalën e tyre përfundimtare kërkuan lirimin e klientëve të tyre, por edhe të tjerëve, ngase nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer vepra penale.

“Mbrojtja e të akuzuarit Avni Zabeli konsideron se kemi ofruar mjaft prova bindëse të cilat e demantojnë në tërësi aktakuzën e prokurorisë… unë pres me padyshim që ndaj të akuzuarit Avni Zabeli të kemi një aktgjykim lirues”, ka thënë ai.

Ndërkaq, avokati Haxhi Millaku, ka përsëritur se pretendimet e paraqitura në aktakuzë, prokurori ka dështuar t’i vërtetojë.

Sipas tij, asnjë nga dëshmitarët nuk i ka vërtetuar këto pretendime të prokurorit, andaj tha se Sabit Geci duhet të lirohet.

“Konsideroj se aktgjykimi do të jetë lirues, dhe kam bindjen e plotë se trupi gjykues do të jetë I drejtë dhe do të vendos në favor të mbrojtjes. Sabit Geci dhe e vërteta mbi pafajësinë e tij mendoj se është argumentuar dhe gjykata këtë do ta akceptojë pa asnjë dilemë”, ka thënë Millaku.

Ndryshe, seanca e radhës në rastin ‘Drenica 1’, ku të dyshuar për krime lufte janë Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Sabit Geci, Avni Zabeli dhe Jahir Demaku, dhe me ç’rast pritet që edhe avokatët tjerë ta thonë fjalën e tyre përfundimtare, do të vazhdojë më 12 maj./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme