Martesat në Kosovë jo më “derisa vdekja të na ndajë”

14:44 | 10 Janar 2017
Arbresh.info

Shkurorëzimi tanimë është shndërruar në një problem të madh social në mbarë botën. Mirëpo ky fenomen ka filluar të rritet edhe në Kosovë. Përveç Agjencisë së Statistikave (ASK) që është marrë me këtë çështje, studimet për këtë fenomen në Kosovë janë të pakta. Si shoqëri që jemi këtë problem e shohim më shumë privat, që i përket vetëm familjes.

Sipas Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, kërkesa të shumta për divorc janë paraqitur muajt e fundit.

Jemi mësuar shpeshherë të shohim në mediet tona duke realizuar tema për shkurorëzimin, mirëpo nuk ka diçka konkrete se për çka qojnë deri tek ndarja cila është arsyeja, përveç disa numrave që ndryshojnë nga viti në vit.

Sipas statistikave që i ka paraqitur Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga viti 2004 deri në 2015 është një numër i madh i shkurorëzimeve në Kosovë.

Në vitin 2004 në Kosovë kemi pasur 1293 shkurorëzime. Njëra ndër shkaqet e shkurorëzimit është edhe mos shkollimi I femrave dhe  sipas kësaj agjencie numri i femrave që kanë kërkuar divorc është 473 ose 37.3%, kurse meshkujt që kanë të mbaruar vetëm shkollimin e mesëm del se janë më të pakënaqur me martesën e tyre dhe numri i tyre shkon në 558, ose 44.0%.

Sipas ASK-së te shkurorëzimet në përgatitjen shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie ishte 473, ose 37.3%; kurse i meshkujve 558, ose 44.0%.

Këto shifra sipas ASK-së janë shqetësuese për një vend siç është Kosova, një vend në tranzicion që po kalon vendi ynë.

Sa i përket shkurorëzimit sociologu dhe psikologu kanë thënë për portalin Arbresh.info se duke marrë parasysh që familja është bërthama e një shoqërie, ky ritëm i divorceve në shtetin e Kosovës është shqetësues.

Psikologu Isa Thaçi thotë se ndikojnë shumë faktorë që çojnë tek shkurorëzimi, sipas tij nuk është vetëm niveli i shkollimit.

“Ndikojnë shumë faktorë që të divorcohen bashkëshortët mes veti. Jo vetëm niveli i shkollimit. Më pak po divorcohen të pashkolluarit se sa të shkolluarit”.

Kurse sa ju përket fëmijëve të çifteve, Thaçi thotë se fëmijët duhet të mbrohen nga bashkëshortët që janë stabil dhe psiqikisht mirë.

“Avanturierët në bashkëshortësi nuk janë të pjekur të marrin përgjegjësitë e veta si prindër në raport me fëmijët e në raport me njeri tjetrin”, përfundon Thaçi.

Gjithashtu edhe sociologu Labinot Kunushevci thotë se dita ditës çiftet po bëhen jo stabile, shumë afatshkurtra dhe tashmë nuk ekziston më ajo thënia ”derisa vdekja të na ndajë” por tashmë çiftet kanë një moto tjetër  ”derisa kënaqësia të na përfundojë”.

Konushevci  thotë se familja është në krizë pasi që po ndodhin ndryshime dhe transformime sot.

“Kjo varet nga planifikimi familjar sepse familja është në krizë të ndryshimeve dhe transformimeve që po ndodhin. Të shtyrë edhe nga ”kënaqu tash”, nga konsumi, raporte konsumi, në vlerë tregu, dhe jo më ”derisa vdekja të na ndajë”, por ”derisa kënaqësia të na përfundojë’.

Sipas sociologut një ndikim në këtë fenomen është edhe konflikti mes gjeneratave përmes komunikimit./Arbresh.info/Z.B

Shpërndaje në rrjete sociale