Lutfi Haziri me mesazh të ashpër për Alban Hysenin: Më 12 tetor do të ecë n’shpi

18:58 | 21 Gusht 2025
E.H

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka lëshuar një reagim politik ndaj kryetarit aktual të Gjilanit, Alban Hysenit, duke e akuzuar për mashtrime, manipulime dhe paaftësi menaxheriale.

Haziri tha se sipas tij, “mashtrimet dhe manipulimet do të përfundojnë më 12 tetor”, duke i dhënë mbështetje të fuqishme kandidatit të LDK-së për Gjilanin, Arbër Ismajlit.

“Mirë që i paska njoftu mësimdhënësit me obligimet ligjore ky i pari i ekzekutivit në Gjilan, i cili më 12 tetor do të ecë n’shpi, por i njëjti ligj vlen edhe për të gjitha kontratat me punë të pacaktuar (në vepër) numri i të cilave e kalon shifrën 100 persona”, tha Haziri.

Në reagimin e tij, ai ngriti shqetësime për mosshpërndarjen e pagave dhe trajtimin selektiv të punëtorëve komunalë dhe shëndetësorë në qytet.

“Në anën tjetër, 46 punëtorët shëndetësorë, përfshirë mjekë e infermierë, të cilët janë të angazhuar me shërbime të jashtme në QKMF, janë pa paga tash e sa muaj. Po ashtu, mbi 300 persona me shërbime “për gjithçka” në NPL Tregu, po kalon muaji i dytë e akoma s’kanë marrë pagë”, theksoi ai.

Haziri i kujtoi Hysenit se ligji kërkon drejtësi për të gjithë, duke e akuzuar për sjellje selektive dhe përçarëse.

“Ligji ju obligon të jeni i drejtë, por ju keni zgjedhur të jeni selektiv dhe polarizues. Ke lënë pa rroga qindra familje në Gjilan dhe po vazhdon të mashtrojë dhe manipulojë si ‘o bir’ i shokëve të skutave politike. Kjo është e pafalshme”, përfundoi Haziri.

Shpërndaje në rrjete sociale