Lirohet ish-prokurorja Vahide Badivuku

15:01 | 16 Maj 2017

Ish-prokurorja e Departamentit të Krimeve të Rënda, në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Vahide Badivuku është liruar nga burgu.

Prokuroja Badivuku është liruar dje nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan, ku po mbahej që nga arrestimi i saj.

Lajmin për “Arbresh.info”, e ka bërë të ditur, drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan,  Heset Loku.

“Po, prokurorja Vahide Badivuku  është liruar dje. Pas orës 16:00 ka dal nga qendra korrektuese e Lipjanit”, është shprehur drejtori.

Rreth arsyeve të lirimit të saj, ai nuk ka dashur të shtoj më shumë.

Por, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi i ka thënë Arbresh. Info, se lirimi i Badivukut ka ardhur me vendim të Gjykatës Supreme.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se dje me dt.15.05.2017, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka lëshuar urdhëresë për lirimin e të dënuarës V.B, pasi që Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë për të dënuarën dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës.  Gjykata Supreme  çështjen e ka kthyer në rigjykim në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, është shprehur Gashi për “Arbresh.info.

Ndryshe, ish-prokurorja e krimeve të rënda, Vahide Badivuku ishte arrestuar në gusht të vitit 2015, dhe akuzohej nga Prokuroria Speciale e Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe krim të organizuar.

Prokuroria e akuzonte Badivukun se kishte marrë ryshfet për t’i liruar disa vetura të sekuestruara, në një lëndë penale, të cilën ajo e ka pasur në hetime. Sipas prokurorisë, prokurorja Badivuku kishte kërkuar ryshfet në shumën prej 22.000 euro, përmes ndërmjetësuesve dhe pas dorëzimit të shumës në fjalë, si prokurore e rastit ka përpiluar kërkesën për lirim të automjeteve.

Gjatë kontrollit në pikë kalimin kufitar në Merdare, ku edhe ishte arrestuar në çantën e prokurores së krimeve të rënda ishte gjetur shuma prej 5.000 euro, të cilat janë pjesë e 22.000 eurove të pranuara ryshfet.

Në prill të vitit 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë, pati gjetur Badivukun fajtore nga gjykata për veprat penale për të cilat akuzohej, duke e dënuar atë me  3 vjet burg efektiv, 5 mijë euro gjobë dhe ndalim i ushtrimit të profesionit për tri vjet./ Arbresh.info/ Gita Lushi

 

Shpërndaje në rrjete sociale