LDK e vendosur, në zgjedhje do të shkojë pa koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen

08:29 | 25 Korrik 2019
V. S.

Zërat për një koalicion të mundshëm mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje janë të arsyeshëm në gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë.

Të paktën kështu i komenton deputeti nga  radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi.

Në një prononcim për Arbresh.info, deputeti Kurteshi ka treguar se për çfarëdo koalicioni para apo pas zgjedhor Vetëvendosje vendos në konsull të këshillit.

“Në këtë fazë që jemi thashethemet janë të panumërta e edhe kjo është lançuar. Lëvizja Vetëvendosje për çfarëdo koalicioni para apo pas zgjedhjeve vendos këshilli dhe mendojmë se ende se është momenti. Mendoj se janë vetëm fjalë deri tani. Unë as nuk mundem  më përjashtua por as me anashkalua këtë çështje. Deri tash s’jemi tu diskutua për ndonjë koalicion me partitë e tjera”.

E përderisa Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një mendim të definuar rreth koalicionit parazgjedhor, më e vendosur po del të jetë partia më e madhe opozitare në vend LDK.

Të pyetur rreth spekulimeve  për një koalicion të mundshëm para zgjedhjeve në Lëvizjen Vetëvendosje, zyrtarë të LDK-së, kanë treguar se do të garojnë të vetëm në këto zgjedhje.

Ndonëse pa dashur të komentoj zërat e ditëve të fundit, zëdhënësi i kësaj partie Besian Mustafa, shkurt për arbresh.info, ka thënë se LDK do të kandidojnë e vetme.

“LDK në këto zgjedhje do të shkojë e vetme”, ka thënë Mustafa.

Kujtojmë se që nga e premtja kur kryeministri Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i udhëheqësit, partitë nga pozita e opozita kanë kërkuar nga presidenti Thaçi që të caktojë datën e zgjedhjeve.

Njëzëri të gjitha janë shprehur pro zgjedhjeve të parakohshme dhe jo një qeverie teknike./V.Selimi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale