Kushtetuesja: Zgjedhja e Rashiqit nënkryetar i Kuvendit nuk përputhet me Kushtetutën

15:46 | 28 Janar 2026
E.G

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se zgjedhja e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb, më 10 tetor 2025, nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Sipas aktgjykimit, e drejta për të propozuar kandidatin i takon shumicës së deputetëve të komunitetit serb dhe kjo nuk ishte respektuar.

“Në kontekst të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e deputetëve që nuk janë shumicë, Aktgjykimi nënvizon se e drejta e propozimit, sikurse që është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit dhe në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës, të konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i takon shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, të zgjedhur sipas nënparagrafëve 1 dhe 2 të paragrafit 2 të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik brenda komuniteteve përkatëse. Aktgjykimi thekson se, ky standard është me rëndësi thelbësore për mbrojtjen kushtetuese të të drejtave të komuniteteve që nuk janë shumicë edhe në kuptim të kërkesave të paragrafit 7 të nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] të Kushtetutës, ngase është përgjegjësi e shumicës që të sigurojë përfaqësim efektiv të komuniteteve që nuk janë shumicë në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, gjegjësisht në Kryesinë e Kuvendit. Njëkohësisht, është përgjegjësi e komuniteteve që nuk janë shumicë, që në realizimin e të drejtave kushtetuese, të sillen në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gjykata Kushtetueses.

Gjykata vlerësoi se mekanizmat e debllokimit, përfshirë shortin, janë përdorur në mënyrë të gabuar.

Megjithatë, për shkak të parimit të sigurisë juridike, vendimi nuk ka efekt prapaveprues

“Në aplikimin e parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, siç ka sqaruar në Aktgjykim, arriti në përfundimin se shumica e deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, duke propozuar 9 (nëntë) kandidatë. Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

Nenad Rashiq, është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës me 10 tetor 2025. Ai mori 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime.

Nëntë kandidatët e tjerë të komunitetit serb nga Lista Serbe nuk i morën votat e mjaftueshme, duke i hapur rrugë kështu Rashiqit të propozohet dhe votohet.