Kusari-Lila kërkon mbështetjen e partive për nesër: Nëse nuk e miratojmë Planin e Rritjes deri në dhjetor, humbim rreth 88 milionë euro

18:34 | 18 Nëntor 2025
E.G

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, u ka kërkuar grupeve parlamentare mbështetje për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e votimit të buxhetit, në seancën e jashtëzakonshme që është thirrur për nesër në orën 11:00.

Në një postim në Facebook, ajo tha se pesë prej pikave të rendit të ditës janë marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nëse nuk miratohen, rrezikojnë shtyrjen e 1 miliardë eurove investimeve.

Kusari Lila ka specifikuar Planin e Rritjes, për të cilin ka thënë se nëse nuk miratohet deri në dhjetor, vendi rrezikon të humbë 10% të vlerës totale prej 880 milionë euro, apo rreth 88 milionë euro.

“Për ta arritur këtë sukses, na duhet mirëkuptimi dhe mbështetja e të gjitha grupeve parlamentare, sepse marrëveshjet ndërkombëtare nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka kërkuar formimin e katër komisioneve të përhershme parlamentarare.

“Duke qenë të vetëdijshëm se zgjedhjet janë zgjidhja më stabile për ngërçin aktual, duhet të jemi mendjehapur dhe të mos e rëndojmë stabilitetin financiar. Prandaj, buxheti i vitit 2026 është përfshirë në agjendë dhe propozim për votim”, thuhet në postimin e saj.

Sipas saj, situate është e tejkalueshme.

“Mos të krijojmë ngarkesa të panevojshme, kur situata është e tejkalueshme. Nesër e kemi mundësinë të lehtësojmë edhe barrën e 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, të cilët presin zgjidhje nga ne. Zgjidhja është në Kuvend edhe për buxhetin e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, LDK ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë, por vetëm në atë për Qeverinë.

Ndryshe, nesër në Kuvendin e Kosovës do të mbahen dy seanca të jashtëzakonshme – njëra për votimin e Qeverisë së re, e tjetra për votimin e buxhetit e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Sipas njoftimit, seanca e parë do të mbahet në orën 11:00.

Ndërsa, seanca lidhur me formimin e qeverisë do të mbahet në ora 14:00./Arbresh.info

LEXO EDHE:

Kuvendi njofton rendin e ditës për dy seancat e jashtëzakonshme nesër

Shpërndaje në rrjete sociale