Kusari-Lila: Bashkëpunimi me shoqërinë civile i rëndësishëm për reformat ekonomike

15:10 | 9 Korrik 2026
E H

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim përfaqësuesit e Institutit GAP, Blendi Hasaj dhe Nora Latifi Jashari, ku është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të agjendës së reformave të kësaj ministrie.

Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për projektet dhe ekspertizën që ofron Instituti GAP, si dhe për rolin e organizatave të shoqërisë civile në mbështetjen e politikave zhvillimore në fushat e industrisë, ndërmarrësisë dhe inovacionit.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte Mekanizmi i Rregullimit Kufitar të Karbonit (CBAM) i Bashkimit Evropian, i cili synon vendosjen e një çmimi për emetimet e karbonit të mallrave që importohen në tregun evropian.

Sipas njoftimit, vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive të bashkëpunimit mes Ministrisë, odave ekonomike dhe Institutit GAP për rritjen e ndërgjegjësimit të bizneseve në Kosovë lidhur me mekanizmat e monitorimit, raportimit dhe verifikimit (MRV).

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për kontributin e shoqërisë civile në hartimin dhe rishikimin e strategjive zhvillimore, si dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Ministrja Kusari-Lila ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe aktorëve të ndryshëm për avancimin e reformave që synojnë zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të Kosovës.\Arbresh.info