Komuna e Vitisë ka reaguar me një sqarim publik lidhur me projektet që po realizohen nëpër shkollat e saj në kuadër të Fondit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë (FKEE), duke theksuar se këto investime janë rezultat i marrëveshjeve mes komunës dhe këtij fondi.
Sipas njoftimit zyrtar, financimi po bëhet përmes një skeme kthimi, ku Komuna e Vitisë mbulon tërësisht investimet në baza pa interes dhe me një afat të gjatë kthimi.
Marrëveshjet janë specifike për secilën shkollë ku po zbatohet projekti, përfshirë SH.M.U “Nijazi Rexhepi” në Sllatinë të Epërme, “Mirali Sejdiu” në Gërmovë, paralelen në Buzovik dhe shkollën “28 Nëntori” në Sadovinë e Jerlive.
Në një ton kritik, komuna ka shprehur keqardhje për mënyrën se si Zyra e Kryeministrit po viziton këto projekte pa njoftim paraprak dhe pa koordinim me nivelin lokal.
“Fatkeqësisht, Zyra e Kryeministrit ka vizituar projektet në Viti pa paralajmërim dhe pa respektuar protokollet institucionale, duke anashkaluar komunën si nikoqire e këtyre investimeve”, thuhet në reagim.
Autoritetet lokale e kanë quajtur këtë praktikë joinstitucionale dhe i kanë bërë thirrje ekzekutivit që të ndryshojë qasjen në raport me nivelin lokal.
Megjithë kritikat, Komuna e Vitisë rithekson përkushtimin e saj për të vazhduar bashkëpunimin me FKEE dhe për të realizuar projekte që përmirësojnë kushtet në arsim dhe kontribuojnë në kursimin e energjisë.
Sipas komunës, këto investime janë thelbësore për të siguruar një mjedis më të qëndrueshëm dhe efikas për gjeneratat e ardhshme.
Situatë problematike nga moti i keq në shtatë qarqe në Shqip...
QKUK jep informacionet e para për gjendjen e të plagosurit n...
Pritjes i erdhi fundi, Balotelli bëhet me skuadër të re
Komuna e Malishevës merr vendim për shtyrjen e mësimit
Rrugët me borë, vështirësi në qarkullim drejt Aeroportit “Ad...
Pas reshjeve rekorde, vjen i ftohti – IHMK paralajmëron zbri...