Kurti vazhdon takimet në Samitin e Jerevanit: Kosova e përkushtuar drejt BE-së dhe NATO-s

23:22 | 4 Maj 2026
E.G

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në kuadër të Samitit të tetë të Komunitetit Politik Evropian, të mbajtur në Jerevan, ka marrë pjesë në dy panele me fokus luftën kundër drogës dhe forcimin e qëndrueshmërisë demokratike ndaj kërcënimeve hibride.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se gjatë samitit zhvilloi edhe një sërë takimesh “të rëndësishme e të frytshme” me liderë të shteteve pjesëmarrëse dhe përfaqësues të institucioneve euro-atlantike, shkruan Arbresh.info.

Po ashtu, Kurti ka bërë të ditur se ka takuar edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, duke e cilësuar atë ndër liderët e shteteve me të cilat Kosova synon të vendosë marrëdhënie diplomatike.

Sipas tij, Republika e Kosovës mbetet e përcaktuar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke e konsideruar këtë si garancinë më të mirë për stabilitet e siguri afatgjate në rajon dhe për zhvillim të qëndrueshëm.

Kurti ka shtuar se njohja e Kosovës nga vendet që ende hezitojnë, si dhe avancimi i statusit të saj në shtet kandidat për anëtarësim, duhet t’i paraprijnë një procesi të bazuar në merita./Arbresh.info