Kurti takohet me Shasime Osmanin, deputeten e re në Parlamentin Kantonal të Bernës

18:58 | 31 Korrik 2026
E H

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është takuar me Shasime Osmanin, e cila së fundmi është zgjedhur deputete në Parlamentin Kantonal të Bernës në Zvicër.

Kurti ka njoftuar se gjatë takimit kanë diskutuar për çështje që lidhen me arsimin, veçanërisht për sistemin dual të arsimit profesional, i cili po zbatohet edhe në Kosovë, si dhe për rëndësinë e barazisë dhe fuqizimit të grave në politikë.

Sipas Kurtit, biseda është përqendruar edhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, si dhe në rolin e mërgatës kosovare në institucionet e shteteve ku jeton dhe vepron.

“Mërgata jonë në këtë shtet mik, dhe jo vetëm, gjithnjë e më shumë po merr rol në institucione dhe po bëhet pjesë e vendimmarrjes”, ka shkruar Kurti.

Ai ka vlerësuar angazhimin e përfaqësuesve të diasporës, të cilët sipas tij po kontribuojnë në fusha të ndryshme dhe po shërbejnë si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe vendeve ku jetojnë.//Arbresh.info