Kryeministri Albin Kurti ka sulmuar ashpër opozitën, duke e akuzuar për bllokim të institucioneve dhe mospranim të rezultatit zgjedhor, pas dështimit të marrëveshjes me Lidhja Demokratike e Kosovës dhe refuzimit nga Partia Demokratike e Kosovës. Ai ka sulmuar ashpër dy liderët e opozitës, Bedri Hamza e Lumir Abdixhiku.
Kurti theksoi se legjislatura e dhjetë duhet ta zgjedhë presidentin dhe të shmangen zgjedhjet e reja.
“Legjislatura e dhjetë duhet ta zgjedhë presidentin, duhet t’i evitojmë zgjedhjet e reja të cilat janë të panevojshme dhe nuk sjellin gjë të re,” deklaroi ai.
Ai shtoi se institucionet duhet të funksionalizohen sa më parë.
“Kemi Kuvend, kemi qeveri, duhet të kemi edhe president. Duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe duhet të funksionalizohet ai.”
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje me partnerët ka shumicën parlamentare.
“LVV me partnerët e saj i ka 57 deputetë, si mazhorancë jemi me 66 deputetë. Pranimi i rezultatit nënkupton që PDK duhet ta pranojë që janë 22 deputetë, janë 1/3 e mazhorancës.”
Kurti theksoi se rezultati zgjedhor është i qartë dhe duhet respektuar.
“LVV ka arritur 51.1 për qind të votës popullore, ky është një rezultat i paparë, prandaj edhe viti 2026 duhet të sillet në përputhje me këtë rezultat.”
Ai bëri të ditur se kishte ofruar marrëveshje për zhbllokimin e situatës, përfshirë postin e kryetarit të Kuvendit për Bedri Hamza ose Vlora Çitaku.
“Unë i kam ofruar kryetarit të PDK-së Bedri Hamza që të bëhet një rrokadë ndërmjet kryetares aktuale të Kuvendit dhe nënkryetarit të PDK-së. Lirisht PDK ta bën kryetar Bedri Hamzën ose Vlora Çitakun, Albulena Haxhiu bëhet nënkryetare e Kuvendit dhe vazhdojmë tutje.”
Kurti e cilësoi ofertën si koncesion të madh nga ana e tij.
“Besoni që kjo nuk është pak, se Albulena Haxhiu ka më shumë vota se Bedri Hamza dhe gati katërfish më shumë se Vlora Çitaku. Ky është një koncesion i madh që e bëjmë ne.”
Ai shtoi se disa figura të Lëvizja Vetëvendosje kanë marrë më shumë vota se liderët opozitarë.
“Katër veta në VV kanë më shumë vota se Bedri Hamza… ndërkaq nëse e krahasoni me LDK-në, dhjetë veta në Vetëvendosje janë më të votuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.”
Kurti theksoi se kishte bërë edhe ofertë për bashkëqeverisje me LDK-në.
“Kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër dhe njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme dhe t’i ketë katër ministri… oferta jonë është shumë gjeneroze.”
Në fund, ai akuzoi opozitën për mungesë vullneti për zhbllokim të situatës.
“Ata nuk janë të interesuar të zhbllokojnë.”
Kurti: Prania e NATO-s në Kosovë, veçmas ajo e ShBA-së, kruc...
Nagavci: Dihen qëndrimet tona për UÇK-në
Lushaku-Sadriu skeptike për rikthimin e bisedimeve të LDK-së...
Tifozët e Mallorcas i dedikojnë një pankartë gjigante Vedat ...
Arrestohet një grua në Pejë, dyshohet se vodhi nga sefi 176 ...
Trump i kërkon Iranit lirimin e grave të dënuara me vdekje