Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rikujtuar sot se kanë kaluar pesë vjet prej kur ish-krerët e UÇK-së gjenden në paraburgim në Hagë. Ai thotë se nuk ka më arsye ligjore e as morale që ata të mbahen pas hekurave, pasi Prokuroria i ka përfunduar të gjitha dëgjimet e dëshmitarëve.
Kurti ka treguar se menjëherë pas vendosjes së luleve në varrin e Astrit Deharit më 5 nëntor 2020, deputeti i atëhershëm i LVV-së, Rexhep Selimi, ishte dërguar në Hagë, shkruan Arbresh.info.
“Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, përveç Selimit, në paraburgim tash e pesë vjet mbahen edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi.
“Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave, ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: ‘rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët’.”, tha ai.
Kurti shton se tashmë Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj dhe se dëshmitarë nuk ka më.
“Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim.”
Ai ka bërë të ditur se si Kryeministër ka kërkuar vazhdimisht lirimin e tyre, duke përfshirë edhe një letër drejtuar Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në shtator të vitit 2022.
“E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës.”
Kurti thotë se pavarësisht kësaj, kërkesat nuk janë marrë parasysh.
“Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje.”
Në fund, ai thekson se garancitë për kthimin e tyre në Kosovë ekzistojnë.
“Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre,” përfundon Kurti./Arbresh.info
Në Spitalin e Mitrovicës kryhet me sukses operacion për kanc...
Tre persona të lënduar nga shpërthimi i një bombole gazi në ...
Tronditet Holanda, Simons humbet Botërorin
Vrasja e dyfishtë në Lezhë, identifikohen 2 automjete të për...
Behrami kërkon raportim të Trendafilovës në komisionin për t...
Rama mbledh kabinetin qeveritar dhe Grupin Parlamentar të PS...