Kurti: Protesta e 1981, goditje tronditëse për Serbinë e Jugosllavinë

12:30 | 11 Mars 2025
E.K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 44 vjetorin e demonstratës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, e cila nisi më 11 mars 1981 dhe shënoi një moment historik të rëndësishëm në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Ai theksoi se, 44 vite më parë, kjo demonstratë shënoi fillimin e një periudhe të rezistencës popullore, që tronditi Serbinë dhe tërë Jugosllavinë.

Sipas Kurtit, më 11 mars 1981, studentët e Prishtinës u ngritën në një demonstratë masive kundër shtypjes, diskriminimit dhe kufizimit të të drejtave të shqiptarëve, duke protestuar edhe kundër shfrytëzimit dhe pabarazive që regjimi jugosllav po ua bënte shqiptarëve.

“44 vite më parë, nga Prishtina filloi një seri goditjesh tronditëse për Serbinë dhe tërë Jugosllavinë, kur më 11 mars 1981, studentët e Universitetit të Prishtinës u ngritën në një demonstratë masive, vetëm një javë pasi ishin revoltuar në mensën e studentëve më 4 mars. Ata po protestonin kundër shtypjes dhe diskriminit, mohimit e kufizimit të të drejtave, si dhe kundër shfrytëzimit dhe pabarazive që shteti i Jugosllavisë po ua bënte shqiptarëve në tërë federatën jugosllave por veçanërisht në Kosovë”, shkroi Kurti.

Kurti kujtoi se, pas kësaj demonstrate, protesta të tjera u organizuan më 26 mars, si dhe më 1 dhe 2 prill, duke u kthyer nga protestat studentore në demonstrata gjithëpopullore.

“Demonstrata e asaj të mërkure, e datës 11 mars 1981, u shtyp dhunshëm nga policia jugosllave, por fryma e indinjatës dhe e rebelimit të studentëve u kthye në inspirim për një rezistencë gjithëpopullore. Të tjera demonstrata u organizuan edhe më 26 mars, pastaj më 1 dhe 2 prill, që protestat studentore i kthyen në demonstrata gjithëpopullore. Ato u shtypën me dhunë nga policia, kurse në muajt dhe vitet pasuese, autoritetet jugosllave bënë mijëra arrestime arbitrare, gjyqe dhe burgosje politike, duke e bërë Kosovën vendin me numrin më të madh të të burgosurve politikë për kokë banori në gjithë Evropën”, tha Kurti.

Ai, tutje, vuri në dukje rrugëtimin historik të vendit, nga demonstratat e vitit ’81 e këndej, deri në shpalljen e pavarësisë.

“Kështu, parulla popullore “Kosova Republikë”, u bë Deklaratë Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe Kushtetutë e Kaçanikut më 7 shtator 1990 drejt realitetit politik të shpallur më 17 shkurt 2008, në formacionin politik e juridik të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur”, tha Kurti, teksa u shpreh se brezat e ardhshëm duhet kujtuar me mirënjohje të thellë dhe me nderime e respekt, studentët dëshmorë, organizatorët, të plagosurit e të burgosurit, si dhe të gjithë pjesëmarrësit e asaj lëvizje që e mbajti aktive rezistencën e popullit të Kosovës drejt aspiratës së tij për liri dhe shtetndërtim”, pohoi Kurti./Arbresh.info