Kurti pret Antonio Costan: Kosova është e gatshme për statusin e vendit kandidat në BE

15:03 | 3 Qershor 2026
E.K

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor në Tivat.

Kryeministri në detyrë Kurti e falënderoi Presidentin Costa për kontributin e Bashkimit Evropian si donatori më i madh në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës, mbështetje të cilën Kosova e ka kthyer në kultivimin dhe promovimin e vlerave të BE-së si dhe në forcimin e institucioneve.

Kryeministri në detyrë theksoi se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon. Ai vlerësoi se Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor zhvillimor i Kosovës.

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.

Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal.

Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit Costa në Prishtinë, pas asaj që realizoi në maj të vitit të kaluar.

Me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik, Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave./Arbresh.info