Kurti premton kushte më të mira për studentët në Prishtinë: Do të dyfishojmë bursat

14:19 | 21 Maj 2026
E.K

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e projektit ideor për rinovimin dhe zgjerimin e Qendrës së Studentëve, në kuadër të përgatitjes për Lojërat Mesdhetare 2030.

Renovimi, zgjerimi dhe modernizimi i infrastrukturës strategjike arsimore dhe sportive në Prishtinë, është një nga projektet kryesore në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, nëpërmjet Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

“Do të na keni pranë, sepse synimi ynë është që të krijojmë kushte edhe për studim edhe për banim për studentët tanë. Në vijim do ta dyfishojmë edhe buxhetin për bursa edhe numrin e bursave për studentë. Por synojmë që t’i përdorim Lojërat Mesdhetare 2030, që të rregullohet komplet kampusi universitar me kapacitete shtesë, me pajisje moderne dhe gjithashtu me kushte të përshtatshme për jetesë aty. Dhe, mu bë qejfi kur e pashë prezantimin e projektit”, ka kryeministri në detyrë Kurti.

Projekti në Qendër të Studentëve sipas projektit parasheh: Zgjerimin e kapaciteteve akomoduese në 4500 shtretër; Renovimin e plotë të konvikteve ekzistuese; Renovimin e plotë të palestrës “1 tetori”‘; Renovimin e mensës së studentëve; Ndërtimin e 3 objekteve të reja të konvikteve; Ndërtimin e sallës multi-funksionale; Ndërtimin e pishinës gjysmë-olimpike; Shtimi i funksioneve të tjera plotësuese arsimore, sportive, rekreative dhe argëtuese.

Me të synohet transformimi i Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës, e cila gjatë Lojërave Mesdhetare do të shërbejë si “Fshati i Atletëve”, ndërsa më pas do të mbetet një investim afatgjatë në shërbim të studentëve dhe arsimit të lartë në Kosovë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale