Kurti: Orientimi ynë është që të pranojmë vaksina vetëm nga shtetet që e kanë njohur Kosovën

17:20 | 5 Prill 2021

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej, siç e kanë edhe shtetet tjera.

Ai është shprehur se orientimi i tyre është që vaksinat t’i pranojnë vetëm nga shtetet që e kanë njohur Kosovën.

“Duhet ta keni parasysh që Kosova duke qenë që nuk njihet nga jo pak shtete në botë, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej. Orientimi ynë është me shtetet që na kanë njohur andaj edhe e kemi rezervën tonë dhe qëndrimin tonë karshi ofertave të ndryshme të cilat mund të na vinë nga shtetet mosnjohëse”, ka shtuar ai.

Ndërsa, derisa Shqipëria është shprehur e gatshme që të ndihmojë Kosovën në vaksinimin e mësimdhënësve, një gjë e tillë ka dështuar.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se në Shqipëri janë shpenzuar vaksinat e AstraZenecas dhe ato të Pfizer, andaj kanë mbetur vetëm vaksinat kineze.

Vitia ka thënë se nuk ka pranuar që mësimdhënësit kosovar të vaksinohen me vaksina kineze.

“Ne në fillim nga kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu kemi pasur ofertë gjeneroze që të vaksinohet personeli shëndetësorë në Shqipëri, ku ne do të organizonim procesin e transportit. Në ndërkohë vaksinat erdhën me kontingjentin e parë dhe vaksinimi i personelit shëndetësorë më shpejtë ndodhi në Kosovë. Unë kam kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë që të mundësohet edhe vaksinimi i kategorive tjera. Fatkeqësisht vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca janë shpenzuar dhe kanë mbetur vetëm ato nga Kina”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara