Kurti në takim me ish-presidentin e BERZH-it flasin për investimet në Kosovë

19:18 | 4 Maj 2021

Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, mbajti sot një takim virtual me Sir Suma Chakrabarti, ish-presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Në këtë takim Chakrabarti fillimisht e uroi kryeministrin Kurti për fitoren historike në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke shtuar se një fitore e tillë vendimtare i rrit gjasat për reformat e suksesshme ekonomike në Republikën e Kosovës.

Gjatë bisedës, kryeministri Kurti theksoi se sigurimi sa më shpejtë i vaksinave mbetet prioriteti më urgjent i yni. Si prioritete të tjera, janë identifikuar rritja e kreditimit për bizneset e vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimit në Kosovë sidomos për mërgatën, dhe targetimi i shpenzimeve të sektorit publik për të krijuar sa më shumë vende të punës.

Chakrabarti ndau me kryeministrin Kurti, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe ministrin Murati sugjerimet e tij dhe përvojat e tij në fusha të ndryshme, ndër to luftimin e korrupsionit, prania e të cilit pengon zhvillimin biznesor dhe ekonomik në vend, dhe strategjitë më të mira për dizajnimin e një fondi sovran. Në fund, Chakrabarti u shpreh i hapur për bashkëpunim të vazhdueshëm në të ardhmen me Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të mirën e qytetarëve të saj.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara