Komiteti Teknik i Arbitrave nuk i jep të drejtë Real Madridit në ankesën e tij ndaj Betisit

20:06 | 28 Prill 2026
D.H

Një nga situatat që është trajtuar këtë të martë në programin “Tiempo de Revisión” të Komitetit Teknik të Arbitrave (CTA) ka qenë edhe aksioni i shumëpërfolur nga ndeshja Betis – Real Madrid, e zhvilluar të premten e kaluar në stadiumin “La Cartuja”.

Bëhet fjalë për momentin që solli golin e barazimit 1-1 të shënuar nga Bellerín. Real Madrid, përmes stafit të tij, sidomos Álvaro Arbeloa në konferencë për media, ka pretenduar se para këtij goli ka pasur një faull ndaj Mendy nga Antony, ku mbrojtësi madrilen përfundon në tokë gjatë një dyluftimi.

Megjithatë, sipas analizës së publikuar dhe burimeve të konsultuara nga Mundo Deportivo, situata është vlerësuar si një kontakt normal dhe jo faull.

Gjyqtari kryesor César Soto Grado nuk ka sinjalizuar asgjë, ndërsa VAR-i i udhëhequr nga Pablo González Fuertes nuk ka ndërhyrë për ta çuar rastin në monitor.

Në analizën e tyre, CTA ka shpjeguar qartë kriteret për këto situata, duke theksuar se:

“Për të qenë një tërheqje e dënueshme duhet të ketë një mbajtje të qartë dhe lidhje direkte shkak-pasojë me veprimin e sulmuesit ndaj mbrojtësit. Kontaktet e lehta mbeten brenda interpretimit të arbitrit.”

Sipas CTA, në këtë rast bëhet fjalë për një tërheqje të lehtë dhe të interpretuar, pa lidhje të qartë shkak-pasojë, prandaj vendimi i arbitrit në fushë është vlerësuar si korrekt. Po ashtu, VAR-i ka vepruar në përputhje me protokollet duke mos ndërhyrë.

CTA nuk ka komentuar rastet tjera të kontestuara gjatë ndeshjes. Nuk është përmendur situata me Brahim në minutën e dytë, ku Betis kërkoi penallti për prekje të topit në shpatull, pasi sipas rregullores së IFAB, një kontakt i tillë nuk konsiderohet dorë e qëllimshme.

Gjithashtu nuk është analizuar as një tjetër rast i kërkuar nga Real Madrid në minutën e 23-të, kur një goditje e Brahim u bllokua nga Ricardo. Edhe pse nuk kishte pozitë jashtë loje nga Bellingham, CTA sqaron se goditja ishte shumë e afërt dhe mbrojtësi nuk kishte kohë për reagim, prandaj nuk mund të konsiderohet faull apo penallti, pasi nuk kishte pozicion të panatyrshëm të dorës.

Në përfundim, CTA ka konfirmuar se të gjitha vendimet kryesore të arbitrave në këtë ndeshje janë marrë në mënyrë të saktë dhe në përputhje me protokollet e VAR-it dhe rregullat e lojës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale