Google ADS

Kurti në Drenas: Do t’i vazhdojmë reformat në drejtësi, shëndetësi e arsim

21:33 | 27 Janar 2025
E.G

Pas Skënderajt, Lëvizja Vetëvendosje, ka zhvilluar tubimin e radhës elektoral në Drenas.

Aty u tha se me qeverisjen e Vetëvendosjes, bashkë me Listën Guxo e Alternativën, do të vazhdohen reformat e nisura në drejtësi, shëndetësi dhe arsim.

“Me neve po bëhet shtet zhvillimor, shtet social dhe shtet i së drejtës, e pa neve s’ka qenë shtet social por shtet i privatizuar. Me qeverisjen e VV-së, shtetin e bëjmë për të gjithë”, tha Kurti.

Ai premtoi se në mandatin e ri do të investojnë 150 milionë euro në efiçiencë të energjisë, duke i përkrahur familjet që kanë nevojë për t’i izoluar shtëpitë e tyre, por edhe ndërtesat publike. Kurti premtoi edhe ndërtimin e Poliklinikës Specialistike në Drenas, Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, si dhe rrugën Drenas-Komoran.

Kandidati për deputet dhe bashkëkryetari i Listës Guxo, Faton Peci ka thënë se do të vazhdojë mbështetja e fermerëve në Drenas.

“Në mandatin tonë Drenasi ka përfituar 7.6 milionë euro në sektorin e bujqësisë, ku përfitues kanë qenë vetëm fermerët e vërtetë dhe fermerët meritorë”, tha ai.

Vetëvendosje me partner në koalicion, premtoi ndërtimin e poliklinikës në Drenas, investime në infrastrukturë, në objekte shkollore dhe në efiçiencë të energjisë.

Të ngjashme

Foto lajm