Në ceremoninë shtetërore për shënimin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se siguria e Kosovës nuk duhet të merret asnjëherë si e mirëqenë dhe se kërcënimet ndaj sovranitetit të saj ende nuk janë zhdukur.
Duke kujtuar momentet kyçe të çlirimit më 12 qershor 1999 dhe kontributin e dëshmorëve, veteranëve dhe aleatëve ndërkombëtarë, Kurti theksoi nevojën për unitet, kujdes të përhershëm dhe orientim të qartë euroatlantik, transmeton Arbresh.info
“Jemi bashkë në këtë pritje shtetërore, në Ditën e Paqes, në 26-vjetorin e çlirimit tonë me rrënjët në gjakun e të rënëve”, tha Kurti, duke përmendur me respekt dhe përulësi sakrificën e dëshmorëve, invalidëve dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës.
Ai rikujtoi momentet kritike të pasluftës, veçanërisht incidentin e 12 qershorit 1999 kur trupat ruse hynë në aeroportin e Prishtinës përpara trupave të NATO-s, duke nxitur frikën për ndarjen etnike të vendit.
Duke cituar librin “Detyra në Beograd” të emisarit të OKB-së, Martti Ahtisaari, Kurti paralajmëroi se plani për ndarjen e Kosovës dhe kontrollin serb mbi pjesën veriore nuk ishte vetëm një frikë e së kaluarës, por një ambicie e gjallë e regjimit të Beogradit.
“Për fat të keq, ky plan nuk ka vdekur ende plotësisht. Ai vazhdon të mbijetojë deri sot, në nivelet më të larta të regjimit të Beogradit”, tha Kurti, duke e lidhur këtë me ngjarjet e fundit, përfshirë sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në veri të Kosovës, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kryeministri në detyrë theksoi se Kosova duhet të mbështetet në aleancën me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë për të siguruar paqen dhe stabilitetin. Ai ritheksoi synimin strategjik të vendit për t’u bërë anëtarja e 33-të e NATO-s.
“Nuk e harrojmë asnjëherë që siguria e vendit dhe e qytetarëve kërkon angazhim të përhershëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë bashkë, shumë dhe mirë, që liria jonë të jetë e plotë dhe që brezat e ardhshëm të mos përjetojnë atë që kemi përjetuar ne”, tha Kurti.
Ai përfundoi fjalimin me mesazhin e mirënjohjes për 19 shtetet e NATO-s që ndërhynë për të ndalur krimet e Serbisë dhe shprehu krenarinë për pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjen ndërkombëtare “Defender Europe 25”, si dëshmi e gatishmërisë së saj për të kontribuar në paqen dhe sigurinë në rajon.
“Urime Dita e Paqes! Gëzuar 26-vjetori i çlirimit të Kosovës!”, përfundoi Kurti.
Në këtë pritje e organizuar nga Qeveria e Kosovës për shënimin e 26 vjetorit të çlirimit të vendit, morën pjesë anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të kuvendit, kryetarë të komunave, drejtues e zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike të shteteve mike të Kosovës, anëtarë të familjes Jashari e përfaqësues politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe të Maqedonisë së Veriut./Arbresh.info

KQZ tërheq shortin, këta janë numrat e partive për zgjedhjet...
Agjencia e OKB-së: Mburoja në Çernobil kundër rrezatimit “hu...
Samiti “Time To Decide Europe 2025”, Rama: Shqipëria u çmua ...
PDK garon me numrin 130 në zgjedhjet e 28 dhjetorit
123 – numri që do të mbajë LDK për zgjedhjet nacionale
Zgjedhjet e 28 dhjetorit, ky është numri me të cilin garon N...