Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, realizoi një takim zyrtar me homologun e tij nga Shqipëria, Besmir Beja, me synim thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e agjendës së përbashkët në fushën doganore.
Gjatë takimit u vlerësua progresi i arritur ndër vite dhe niveli i lartë i koordinimit institucional, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e procedurave, rritjen e efikasitetit operacional dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua funksionimit të Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, si dhe zbatimit të sistemit One Stop Shop në pikën kufitare Morinë. Këto mekanizma u vlerësuan si modele të suksesshme bashkëpunimi që kanë reduktuar kohën e pritjes, kanë ulur kostot për bizneset dhe kanë lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe pasagjerëve” thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Llugaliu theksoi rëndësinë strategjike të pranisë së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit, duke e cilësuar atë si një instrument kyç për fuqizimin e pozitës konkurruese të operatorëve ekonomikë të Kosovës dhe për rritjen e qasjes në tregjet rajonale dhe më gjerë.
Në kuadër të diskutimeve u trajtuan edhe prioritetet e përbashkëta për thellimin e digjitalizimit, avancimin e shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe forcimin e bashkëpunimit në hetime të përbashkëta, me qëllim rritjen e transparencës, sigurisë dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme.
Në përmbyllje, palët theksuan vullnetin për konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit institucional dhe për ndërmarrjen e hapave të rinj që mbështesin lehtësimin e tregtisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës dhe Shqipërisë.
Abdixhiku e Osmani në Pobërgjë të Deçanit: Mbështetja për LD...
Emisari i dialogut Sorensen takon zëvendësministrin e Jashtë...
Lladrovci i jep përkrahje PDK-së dhe Ajazit si Ushtrues dety...
Bella Hadid shijon pushimin në Rivierën Franceze pas tapetit...
Nis sanimi i kanalit kryesor të ujitjes në Burim të Istogut
Osmani: Gjakovarët gjithmonë i kanë dalë zot Kosovës