Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në orën përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të vdekjes së Azem Beqirit, aktivist dhe i burgosur politik, që u mbajt në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se shekulli XX, apo siç e quajti ai, shekulli i luftërave ballkanike dhe dy luftërave botërore, për shqiptarët ishte i mbushur me përpjekje të shumëfishta dhe lëvizje intensive për liri, e që në këtë rrugë shqiptarët e mbetur pa vullnetin e tyre nën Jugosllavi, u bënë viktimë regjimesh të egra diktatoriale e fashiste, regjimesh hegjemoniste gjenocidale, me të cilat u desh të luftohej në pafund mënyra pareshtur për ta fituar çlirimin, lirinë.
Ndër ata burra dhe gra që me angazhimin e tyre mirëmbajtën betejën e shqiptarëve për liri, ishte edhe Azem Beqiri, i cili ishte 24 vjeç kur vullnetin e tij politik e kanalizoi në organizatën Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, organizatë kjo që u formua në shtator të vitit 1963 nga një grup i bërë bashkë nga gazetari dhe shkrimtari i ri atëbotë Adem Demaçi, i cili edhe e mori drejtimin e saj.
Duke folur për veprimtarinë politike të Azem Beqirit, arrestimin e tij më 7 qershor 1964, aktakuzën e ngritur asokohe nga Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë, më 15 gusht 1964, bashkë me Adem Demaçin, Sabit Ratkocerin, Hazir Shalën, Selahudin Dacin, Abdyl Lahun, Ahmet Haxhiun, Xhafer Mahmutxhikun, Dibran Bajraktarin dhe Sabri Novosellën, Tefik Sahitin, e Nijazi Saraçogllun, por edhe për dënimin me 10 vjet burg, kryeministri Kurti theksoi se edhe pas daljes nga burgu, Azem Beqiri punon edhe më shumë se para rënies në burg. “Ai ka gjet gjithmonë mënyra të angazhimit dhe kanale komunikimi për aktivitetin e tij politik bashkë me shokët. Ndërkohë në dekadat pasuese, në qindra procese gjyqësore politike, pushteti jugosllav i dominuar nga Serbia, do të dënonte me burgosje gjithë rininë tonë, po jo vetëm atë, mijëra e mijëra shqiptarë, derisa në mes të viteve ’80-ta kjo e ka arrit kulmin e saj duke i kthyer shqiptarët në Jugosllavi, në komunitetin etnik më të përndjekur në mbarë Evropën, dhe të gjykuar e burgosur politikisht në kontinentin e vjetër”, tha ai.
Mes tjerash, kryeministri Kurti tha se duke qenë se kam pas fatin të punoj për bacën Adem si sekretar në zyrën e tij në Prishtinë, kur Adem Demaçi ishte përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së, të gjithë shokët dhe gjeneratën e tij të aktivistëve e të burgosurve politikë i kam njohur përmes Bacit Adem. “Duke qenë po ashtu njëri prej jush si ish i burgosur politik dhe duke shquar këto të dhëna për aktivitetin politik, dhe sidomos për frikën e pushtetit serbo-jugosllav ndaj Azem Beqirit, ndaj LRBSH-së, shpresoj t’i kemi përtërirë bashkë me juve gjithë sot, kujtimet dhe nderimet tona për Azem Beqirin. U kujtoftë dhe u nderoftë Azem Beqiri, si nga brezat që e kanë njohur dhe kanë dëgjuar për të, ashtu edhe nga historia”, tha në fund të fjalës kryeministri Kurti./Arbresh.info

Tri ndeshje të forta sot në Superligën e Kosovës
Tre të mitur raportohen të zhdukur
Në Durrës i moshuari tenton të vrasë gruan duke e goditur me...
Policia nis hetim për një vdekje që ndodhi në QKUK
Ushtarakja nga Kosova shpallet më e mira në trajnimin në Abu...
Punime në rrjet, këto vende do të mbesin sot pa rrymë