Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën e organizuar në shënim të 14 Prillit – Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se në një ditë kujtese e përgjegjësie, më 14 prill, nderojmë të gjitha ato gra dhe ata burra që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, një nga plagët më të rënda dhe më të heshtura të luftës, dhimbje kjo që për aq shumë vite u fsheh për shkak të frikës, stigmatizimit dhe mungesës së hapësirës për të folur.
“Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit ekziston pikërisht për këtë qëllim, për të siguruar që çdo i mbijetuar dhe e mbijetuar, të ketë mundësinë të njihet, të dëgjohet dhe të trajtohet me respektin që meriton. Që çdo e mbijetuar të ketë një derë ku mund të trokasë pa frikë, një proces që garanton konfidencialitet, dhe një shtet që dëgjon seriozisht”, tha ai, duke treguar se deri më tani janë 1925 raste që u është njohur statusi nga Komisioni.
Më tej, kryeministri Kurti theksoi se rrëfimet e të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dëshmojnë se të gjitha plagët kërkojnë edhe kujdes shoqëror edhe drejtësi shtetërore, dhe po ashtu na përkujtojnë se mbështetja ndaj të mbijetuarave është obligim e detyrë e përbashkët e të gjithë neve, e cila kërkon përkushtim të përhershëm. “Zëri i tyre është thelbësor në proceset tona të drejtësisë tranzicionale, që njohin vuajtjet e së kaluarës dhe inkurajojnë për shpresë drejtë së ardhmes”, tha ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Z. Adrian Gola, nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuar z. Andin Hoti, Ministër i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare,
E nderuar znj. Fatmire Mulhaxha – Kollçaku, deputete dhe kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlera të Luftës Çlirimtare dhe Peticione,
E nderuara znj. Leonora Selmani, kryetare e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare,
Të dashura të mbijetuara dhe të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Mirë se keni ardhur në Kryeministri, në një ditë kujtese e përgjegjësie. Më 14 prill, ne nderojmë të gjitha ato gra dhe burra që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, një nga plagët më të rënda dhe më të heshtura të luftës.
Për shumë vite, kjo dhimbje disi u fsheh: për shkak të frikës, stigmatizimit dhe mungesës së hapësirës për të folur. E sot, si institucione të Republikës së Kosovës, me detyrimin moral dhe institucional e ritheksojmë se nuk do të lejojmë që kjo dhimbje të mbetet e padukshme.
Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit ekziston pikërisht për këtë qëllim, për të siguruar që çdo i mbijetuar dhe e mbijetuar, të ketë mundësinë të njihet, të dëgjohet dhe të trajtohet me respektin që meriton. Që çdo e mbijetuar të ketë një derë ku mund të trokasë pa frikë, një proces që garanton konfidencialitet, dhe një shtet që e dëgjon seriozisht. Komisioni, bashkë me organizatat dhe institucionet partnere, janë të përkushtuar që procesi i njohjes së statusit të përmirësohet edhe më tej, të jetë i sigurt dhe i ndjeshëm ndaj përvojave të secilës e secilit aplikues.
Deri më tani janë 1925 raste që u është njohur statusi nga Komisioni. Por shumë të mbijetuar ende jetojnë në heshtje të ndrydhur teksa përballen me stigmën. Ende hezitojnë të kërkojnë atë që u takon: drejtësi, njohje dhe mbështetje.
Dhe këtu qëndron përgjegjësia jonë, për të vazhduar të forcojmë edhe më tej përpjekjet tona të përbashkëta për të afruar informacionin te çdo person që ka të drejtë të aplikojë. Duhet shtuar më tej angazhimin, e duhet punuar më afër me qytetarët, organizatat dhe partnerët për të siguruar që askush të mos mbetet i painformuar apo i pambështetur.
Rrëfimet e të mbijetuarave e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dëshmojnë se të gjitha plagët kërkojnë edhe kujdes shoqëror edhe drejtësi shtetërore. Na përkujtojnë se mbështetja ndaj të mbijetuarave është obligim dhe detyrë e përbashkët, që kërkon përkushtim të përhershëm. Zëri i tyre është thelbësor në proceset tona të drejtësisë tranzicionale, që njohin vuajtjet e së kaluarës dhe inkurajojnë për shpresë drejtë së ardhmes.
Tashmë kemi miratuar, dhe bashkë po e zbatojmë Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Po ashtu, po bëjmë dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë me Institutin e themeluar. Po e mbështesim aplikimin e të mbijetuarave e mbijetuarve në Komisionin Qeveritar, duke financuar katër organizatat e autorizuara: Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Qendrën për Promovimin e Drejtave të Grave në Drenas, Medica Gjakova dhe Medica Kosova, të cilave u jemi mirënjohëse për përkushtimin dhe përpjekjet.
Angazhimi ynë i përbashkët duhet vazhduar më tej me ndërtimin e besimit. Me përmirësim të mëtejmë të këtij procesi konfidencial dhe të ndjeshëm ndaj përvojave të secilit individ. Me afrimin e institucioneve më pranë qytetarëve që ende hezitojnë të flasin. Sepse përtej një procedure administrative, aplikimi për njohje është një hap drejt njohjes të së vërtetës, drejt shërimit dhe drejtësisë.
Të nderuar të pranishëm,
Zërat e të mbijetuarve, të grave dhe burrave, kanë sfiduar heshtjen dhe kanë kontribuar në guximin kolektiv për të përballuar të kaluarën e hidhur . Sot e çdo ditë, ne nderojmë guximin e atyre që folën, që dëshmuan, që refuzuan të mbeten të padukshëm. Sepse përmes tyre, qindra të tjerë kanë gjetur forcë.
Andaj, derisa shënojmë këtë ditë memoriale, kujtojmë të gjitha viktimat dhe të mbijetuarat, dhe nderojmë qëndresën e atyre, që mbi shkatërrimin e luftës, ndërtojnë paqen e tashme dhe të së ardhmes.
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe organizatave,
Prania juaj sot, na rikujton fuqinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në ballafaqim me këto plagë të shoqërisë dhe për shërimin e tyre. Andaj, vazhdojmë këtë rrugë së bashku, me besimin se e ardhmja që po ndërtojmë, do të jetë shumë më e mirë për të gjithë.
Jemi krah për krah e këmbëngulës në rrugën e drejtësisë dhe barazisë, të cilat janë ideale tona të përbashkëta, të shndërruara në punë të përditshme.
Ju faleminderit./Arbresh.info

Basketbollistët më të dalluar në sezonin e rregullt, asnjë v...
Manxhuka reagon pas dënimit me burg: U çmontua ndikimi i Ser...
Kreshnik Uka, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
96 gjoba dhe 48 motoçikleta u konfiskuan gjatë një jave në r...
Sekuestrimi i mbi 17 kg heroinë, Sveçla përgëzon aksionin e ...
E pazakontë – Kinezi varroset bashkë me Mercedesin e t...