Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja Daulina Osmani, mori pjesë në Premierën e filmit “Tavolina” dhe ekspozitën për të pagjeturit nga fotografi Artan Korenica, në Muzeun Etnologjik të Kosovës.
Kurti falënderoi Qendrën Kinematografike të Kosovës që ka mundësuar realizimin e këtij filmi, që siç tha ai, aq shumë i afrohet përjetimit të vërtetë të nënës Ferdonije.
“Ne e dimë rastin e nënës Ferdonije së cilës i janë rrëmbyer katër djemtë dhe burri, por është e pamundshme të mos tronditesh e trishtohesh kur e sheh në film të personifikuar nënën Ferdonije nga aktorja jonë e mirënjohur dhe e shkëlqyeshme Arta Muçaj, e cila nuk ka qenë e mundur të thotë më shumë pa folur fare”, tha ai, përcjell arbresh.info.
Nënën Ferdonije, kryeministri Kurti e përshkroi si një grua e cila është forcuar aq shumë nga dhembja sa që na jep fuqi të gjithë neve të tjerëve.
“Sot më 8 Mars në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me një grua si nëna Ferdonije ne tregojmë historinë tonë, të tashmen tonë, po në të njëjtën kohë edhe fuqinë për të ardhmen e cila e ka burimin pikërisht në gra si nëna Ferdonije”, u shpreh ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Edhe ekspozita edhe filmi 12 minutësh ishin shumë tronditëse dhe shumë të bukura. Ne e dimë rastin e nënës Ferdonije së cilës i janë rrëmbyer katër djemtë dhe burri, por është e pamundshme të mos tronditesh e trishtohesh kur e sheh në film të personifikuar nënën Ferdonije nga aktorja jonë e mirënjohur dhe e shkëlqyeshme Arta Muçaj, e cila nuk ka qenë e mundur të thotë më shumë pa folur fare.
Andaj, kur kësaj ja shtojmë edhe tryezën me gjashtë pjata gjithsej, ku njëra është e nënës Ferdonije dhe ne të tjerët bashkë me ministrin Çeku dhe vet Arta Muçajn zumë vendet e djemve dhe burrit të saj, aty u bë një skenë e cila është e papërsëritshme dhe unë e falënderoj shumë Qendrën Kinematografike të Kosovës që ka mundësuar realizimin e këtij filmi i cili aq shumë i afrohet përjetimit të vërtetë që është i përditshëm i nënës Ferdonije, i një gruaje e cila është forcuar aq shumë nga dhembja sa që na jep fuqi të gjithë neve të tjerëve.
Sot më 8 Mars në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me një grua si nëna Ferdonije ne tregojmë historinë tonë, të tashmen tonë, po në të njëjtën kohë edhe fuqinë për të ardhmen e cila e ka burimin pikërisht në gra si nëna Ferdonije.




Zelensky i shkruan Putinit: Ukraina propozon t’i japë fund l...
Nis sot Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, Haxhiu përfa...
Protestë për gjuhën shqipe para Ambasadës së Maqedonisë së V...
Sot varrosen dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht në Shë...
Parashikimi i motit për sot
Harroni 10,000 hapat? Studimi i ri sjell metodë më efikase t...