Ka filluar sot edicioni i 15-të i konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, nën organizimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, i cila grumbullon albanologë të shquar shqiptarë dhe të huaj për të diskutuar dhe ndarë studime e arritje në fushën e gjuhës, etnologjisë, folklorit, letërsisë dhe historisë së shqiptarëve.
Në hapjen solemne të edicionit të sivjetmë mori pjesë kryeministri i vendit, Albin Kurti, që gjithashtu mbajti një fjalë rasti në të cilën fillimisht u shpreh se dija fillestare albanologjike, ajo e shek. XVIII-XIX ndihmoi shumë në zgjimin kombëtar të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shek. XIX, përcjell Arbresh.info
“Rilindësit tanë të shquar – midis tyre nga vëllezërit Frashëri e Pashko Vasa, e deri tek Faik Konica e Fan Noli etj. – i shfrytëzuan arritjet shkencore të albanologjisë për të krijuar orientimin tonë kombëtar dhe për të hedhur poshtë pretendimet joshkencore dhe propagandën raciste të shovinistëve fqinjë”, tha Kurti.
Tutje kryeministri shtoi se për rilindësit tanë, “çështja shqiptare” nuk do të thoshte vetëm përcaktim i origjinës së kombit dhe gjuhës, përcaktim i shtrirjes territoriale të shqiptarëve, shkrim i gjuhës shqipe me një alfabet unik, por edhe themelim i shtetit kombëtar shqiptar.
“Duke qenë dëshmitarë se si akademitë dhe institutet shkencore në ish Jugosllavi përpunuan tezat e gjenocidit kundër shqiptarëve, kryeministri u shpreh krenar që plejada e albanologëve shqiptarë, duke filluar me Kristoforidhin e deri me Selman Rizën, Eqrem Çabejn e Idriz Ajetin, Stavro Skëndin, Anton Berishën, Aleks Budën, Anton Çetën, Shaban Demirajn etj., nuk kanë pasur një qasje përçmuese apo denigruese ndaj kulturave dhe historive të popujve fqinjë të shqiptarëve. Ai shtoi se sot dija albanologjike, ushqehet nga disa institucione kërkimore shkencore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në vende ku veprojnë e jetojnë studiuesit e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe historisë së shqiptarëve, dhe se ajo nuk pengohet më nga kufizimet politike që ekzistonin gjatë regjimeve diktatoriale”, thuhet në komunikatën për media nga ZKM.
Të vetëdijshëm për rëndësinë kombëtare të albanologjisë, Kurti veçoi kontributet e Qeverisë që ai drejton në mbështetje të vazhdueshme të saj përmes përkrahjes për organizimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që në muajin e kaluar mirëpriti studiues e albanologë nga 14 vende të ndryshme të botës, pastaj bursave studentore për studentët që vijojnë programet Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, dhe bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për mbështetjen e projekteve të përbashkëta hulumtuese, përfshirë realizimin e projektit madhor në albanologji “Enciklopedia Shqiptare”.
Në fund të fjalës së tij, ai u uroi punë të mbarë dhe diskutime të vlefshme studiuesve, ndërkohë që përgëzoi Institutin Albanologjik për organizimin e përvitshëm të kësaj konference shkencore, duke u premtuar që mbështetja e Qeverisë nuk do të mungojë asnjëherë./Arbresh.info
Rama i përmend dy prej protestave më të mëdha që mendon se u...
Të paktën 60 të vrarë nga sulmet izraelite gjatë orëve të fu...
Dita e ndeshjes, Kosova luan në udhëtim te Lituania
Policia shqiptoi 1 mijë e 846 gjoba trafiku për 24 orë
Tetë persona u lënduan- u arrestua ngasësi i kamionit, detaj...
Vidhet arka për bamirësi në xhaminë e fshatit Siqevë në Pris...