Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti, vlerësoi lart profesionalizmin e Gjeneral Brigade Nawrat dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe shprehu mirënjohjen e thellë për përkushtimin dhe kontributin e çmueshëm të gjeneralit dhe ekipit të tij.
“Me profesionalizmin tuaj të treguar gjatë bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, ju i keni dhënë kuptim dhe shtytje marrëdhënieve të mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s”, u shpreh kryeministri.
Në kuadër të këtyre raporteve, ai shtoi se NATO-ja përveç se një aleancë ushtarake, është sinonim i sigurisë, lirisë dhe paqes së ndërtuar mbi bazën e partneritetit të fuqishëm të shteteve anëtare. Kësisoj, integrimi i plotë në NATO i Republikës së Kosovës mbetet synimi ynë i palëkundur, derisa zhvillimi i ushtrisë dhe forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse është duke u bërë pikërisht duke u mbështetur, respektuar dhe përmbushur standardet e vendosura nga NATO-ja.
“Ne kemi dëshmuar që kemi një forcë moderne, multietnike, të gatshme dhe të aftë për misione ndërkombëtare. Kemi marrë pjesë dhe kemi realizuar me sukses operacione ndërkombëtare duke u shndërruar kështu nga konsumues, në ofrues dhe kontribues të sigurisë dhe garantues e roje të paqes. E ardhmja e sigurisë në rajonin tonë nuk ndërtohet mbi retorika e mendësi të vjetra e të kaluara tashmë, por mbi bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e ndërsjellë me fqinjë dhe aleatë. Republika e Kosovës sot është më e fortë se kurrë më parë, pikërisht për shkak se gjatë rrugëtimit të saj ka pasur dhe ka aleatë të fortë”, tha ai.
Tutje, Kurti i uroi mirëseardhje drejtorit të ri, Gjeneral Brigade, Dr. Sven Lange, duke shprehur vullnetin për të vazhduar punën e ngushtë në rrugën tonë drejt NATO-s./Arbersh.info

Tribunal Special për t’i gjykuar liderët rusë për krimet në ...
Macja juaj bën këto gjëra çdo ditë? Ja pse nuk janë aspak të...
Momente tensioni mes Emery dhe Tielemans – trajneri e ...
Aksident tragjik në Itali, humb jetën 20-vjeçari shqiptar
Serwer dyshues i madh për Bordin e Paqes: E kuptoj dëshirën ...
Dinamo Zagreb shënon fitore bindëse ndaj FSCB, protagonist e...