Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së Titullit Mbarëkombëtar Çmimi “Jakov Xoxa në Letra”, edicioni 2025–2026.
Fituesi i edicionit të sivjetmë të këtij çmimi, që ndahet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Tiranë, është shkrimtari dhe studiuesi Gëzim Aliu.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
Sot, kur mendimi ndërpritet vazhdimisht dhe përqendrimi është bërë një ndër gjërat më të brishta të kohës sonë, letërsia mbetet një nga format e rralla që i reziston shpërbërjes së vëmendjes. Ajo nuk funksionon me logjikën e të menjëhershmes. Nuk prodhohet për konsum të çastit dhe as nuk varet nga shpejtësia me të cilën qarkullojnë gjërat. Pikërisht për këtë arsye vazhdon të mbetet themelore. Jo sepse është nostalgji e një bote të kaluar, por sepse është një nga mënyrat më të plota për të kuptuar sa më mirë atë që na intereson më së shumti.
Dhe ndonëse jeta është tepër e shkurtër përballë gjithë madhështisë së asaj që është shkruar, letërsia arrin gjithsesi ta krijojë një marrëdhënie të pazëvendësueshme me kohën. Sa herë që jemi përballë saj, nuk kemi vetëm kontakt me një tekst, por me përvojën njerëzore dhe mendore të grumbulluar ndër shekuj. Është ndër të paktat hapësira ku koha nuk zhduket, por ruhet gjithmonë.
Ajo hyn herët në jetën tonë dhe mbetet gjatë dhe përgjithmonë, si pjesë e mënyrës se si ndërtohet vetë mendimi dhe përjetimi. Sot mendojmë më ndryshe, pikërisht për shkak se lexojmë letërsi. Edhe sot, kur teknologjia duket se dominon gjithçka, shpeshherë në kurriz të letërsisë pikërisht dhe ajo po e transformon mënyrën se si prodhohet informacioni, përfytyrimi mbetet ende burimi fillestar i çdo krijimi. Çdo vizion i madh ka kaluar fillimisht përmes gjuhës. Shkrimtarët e kanë kuptuar këtë shumë kohë më parë dhe më parë se kushdo tjetër.
Edhe letërsia shqipe e ka kryer këtë funksion në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo nuk ka qenë vetëm bartëse e identitetit kulturor, por njëkohësisht zgjerim i vetë shqipes si instrument mendimi dhe dije. Te shumë autorë, gjuha nuk shërben thjesht për të treguar një histori; ajo bëhet mënyrë për të treguar një botëkuptim real nga një fshat, lagje, kohë apo individ. Një ndër shkrimtarët që e realizon fuqishëm këtë gjë, është pikërisht Jakov Xoxa.
Jo vetëm me mënyrën se si i përdor fjalët, por edhe me numrin e tyre, me sasinë e tyre, e ka bërë shqipen një fuqi linguistike. Pasuria e tij leksikore nuk është zbukurim stilistik. Është njohje e thellë e jetës dhe punë e dashuri për vetë gjuhën si regjistri kryesor i dijes. Për të përdorur aq shumë njësi të shqipes, aq shumë gjendje shpirtërore, nuanca karakteresh dhe ritme të të folurit, duhet të ekzistojë një vëzhgim i jashtëzakonshëm mbi njeriun dhe realitetin e tij. Universi i tij letrar nuk ndërtohet mbi abstraksione, por mbi dendësinë konkrete të jetës shqiptare, mbi kujtesën e brezave, mbi marrëdhëniet njerëzore, mbi mënyrën se si historia futet në fatin individual.
Pikërisht këtu qëndron madhështia e “Lumit të Vdekur”. Titulli vetë është një përmbysje kuptimore e fuqishme: lumi, si simbol i lëvizjes dhe jetës, shpallet i vdekur, ndërsa gjuha që e përshkruan mbetet jashtëzakonisht e gjallë. Kjo është arsyeja pse romani vazhdon të ketë peshë edhe sot, dekada pas botimit të tij të parë në vitin 1961. Jo vetëm sepse i përket historisë së letërsisë shqipe, por sepse arrin ende të prodhojë kuptim.
E tash nëpër bibliotekat tona shtëpiake janë të panumërt ata të cilët e kanë “Lumin e Vdekur” dhe më pastaj “Lulen e Kripës”, libra njëri pas tjetrit standard nëpër bibliotekat tona. Por, nëse dashuria sot është kështu siç është për shkak të romanit të shekullit XIX, të dashuruarit në Kosovë në një masë është kështu siç është edhe për shkak të dashurisë midis Adilit dhe Vitës, që ishte dashuria e romanit të “Lumit të Vdekur” që e bënte më të gjallë se çdo lum, por njëkohësisht edhe thyente këtë kufirin shqiptaro-shqiptar, i cili na ndante padrejtësisht për shkak të konferencave ku nuk kishim marrë pjesë ne dhe për shkak të luftërave që ishin bërë gjenocid kundër nesh.
Prandaj, “Lumi i Vdekur” në veçanti e ka një peshë të madhe politike për kombin shqiptar dhe është i domosdoshëm të mësohet aty ku mbi mbulohen letërsia dhe historia, jo vetëm letërsia në raport me gjuhën shqipe, por edhe letërsia në raport me historinë e popullit shqiptar.
Rëndësia e letërsisë në përgjithësi dhe e vetë Jakov Xoxës nuk qëndron pra vetëm tek ajo që rrëfen, por edhe tek aftësia për të zgjeruar horizontin e mendimit njerëzor. Ai i jep gjuhës kapacitet për të mbajtur më shumë realitet, më shumë kujtesë dhe më shumë vetëdije.
Punët madhore na frymëzojnë për projekte madhore.
Ju faleminderit për ftesën dhe vëmendjen dhe për këtë punë të shkëlqyeshme që po bëni.
Hoxha: Avancim i projekteve ndërkufitare me Malin e Zi
Merz: Irani duhet të ndalojë së luajturi me kohën
Bojan Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim për spiunazh
Kurti: Kosovës i duhet president konsensual
Konfirmohet data e samitit BE-Ballkani Perëndimor
Kurti mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Ja...