Kurti kujton Masakrën e Rakovinës në përvjetorin e 27-të: Dhimbja e familjeve të tyre është plagë e shoqërisë sonë

17:20 | 24 Janar 2026
E.K

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot përvjetorin e 27-të të Masakrës së Rakovinës, ku më 24 janar 1999 u vranë pesë civilë shqiptarë të paarmatosur nga policia e Serbisë.

Kurti rikujtoi se ndër viktimat ishin edhe dy fëmijë, Besimi 12-vjeçar dhe Haxhiu 11-vjeçar, të cilët po udhëtonin me babanë e tyre, Shaban Kelmendin, kur u qëlluan për vdekje

Postimi i plotë:

Përvjetori i 27-të i Masakrës së Rakovinës

Besimi ishte 12 vjeç, e Haxhiu vetëm 11. Dy vëllezërit po udhëtonin me babanë e tyre, Shaban Kelmendin. Ata u qëlluan për vdekje. Bashkë me ta u ekzekutuan edhe çifti Hysen dhe Sanije Kurti nga fshati Cërmjan. Ata po lëviznin me një traktor dhe rimorkio, mbi të cilin forcat e armatosura serbe shtinë me rafale automatike.

Më 24 janar 1999, në Rakovinë të Gjakovës, policia e Serbisë vrau pesë civilë të paarmatosur, vetëm pse ishin shqiptarë.

Sot, 27 vjet më pas, i kujtojmë këta fëmijë dhe këta qytetarë të pafajshëm me dhimbje të thellë dhe nderim të përhershëm.

Kujtimi i Besimit dhe Haxhiut na rikujton dhunën serbe në Kosovë mbi trupat e fëmijëve, mbi familje të tëra, mbi jetë që nuk patën mundësi të mbroheshin.

Kujtojmë për të mos lejuar që e vërteta të zbehet dhe që krimet të mbesin pa emër e pa përgjegjësi.

Dhimbja e familjeve të tyre është plagë e shoqërisë sonë, ndërsa kujtesa jonë kolektive është zotim për drejtësi.

Republika e Kosovës i kujton sot viktimat e Masakrës së Rakovinës dhe nuk i harron kurrë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë.

Lavdi të rënëve për liri!/Arbresh.info