Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar aktivistin boshnjak, Shefko Sallkoviq në 14-vjetorin e vrasjes së tij në fshatin Podstenje të Leposaviqit.
Me anë të një postimi në Fcebook, Kurti tha se Sallkoviq njihej për angazhimin e tij në proceset zgjedhore e përfaqësimin e komunitetit në zonën e Leposaviqit, përcjell Arbresh.info.
Sipas kryeministrit, vrasja e Sallkoviqit ishte një sulm që synonte përhapjen e frikës dhe panikut tek ata që përpiqeshin të integroheshin në institucionet e Kosovës, veçanërisht në komunat veriore të banuara kryesisht nga serbë.
Postimi i plotë:
Shefko Sallkoviq ishte aktivist boshnjak që tregonte lojalitet ndaj Republikës së Kosovës dhe njihej për angazhimin e tij në proceset zgjedhore e përfaqësimin e komunitetit në zonën e Leposaviqit. Për Serbinë, kjo ishte e papranueshme, dhe u bë shkas që 14 vjet më parë, më 8 dhjetor 2010, Shefko Sallkoviq, të vritej në fshatin Podstenje, në Leposaviq. Përgjegjësinë, e mori fillimisht formacioni paraushtarak “Beli Orlovi” (Shqiponjat e Bardha) nga Serbia.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, katër ditë para zgjedhjeve të parakohshme të 12 dhjetorit 2010, në të cilat Sallkoviq ka qenë dhe komisioner i koalicionit pjesëmarrës në ato zgjedhje, “Vakat”. Në pritën e ngritur nga kryesit e sulmit, mbeti i plagosur edhe Edin Islamoviq, i cili ndodhej në veturë me Shefkon, por arriti të kërcejë në Ibër pas të shtënave. Edinin kanë tentuar ta vrasin edhe deri sa po qëndronte i shtrirë në QKUK. Edini ka mbetur invalid dhe lëvizë me karrocë.
Vrasja e Sallkoviq ishte një sulm që synonte përhapjen e frikës dhe panikut tek ata që përpiqeshin të integroheshin në institucionet e Kosovës, veçanërisht në komunat veriore të banuara kryesisht nga serbë.
Hetimet kishin treguar se përgjegjës për vrasjen e tyre ishin Jugoslav Petroviq dhe Radomir Deliq, pjesëtarë të institucioneve serbe të sigurisë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Ata u arrestuan në Beograd për trafikim me substancë narkotike, më 27 dhjetor 2010, por asnjëri prej tyre nuk është procesuar deri tash në mënyrë direkte për vrasjen e plagosjen e ndodhur 14 vite më parë. Dyshohet se së paku njëri nga prej tyre, ka qenë në Kosovë në periudhën 1998-1999 si pjesëtarë të “Beretave të Kuqe” të komanduara nga “Llegija”.
Shefko Sallkoviq e përkujtojmë sot, si qëndrestar kundër Serbisë dhe si aktivist i së drejtës, i komunitetit dhe i Republikës. 14 vite më vonë, strukturat serbe të cilat frikësojnë, shantazhojnë e vrasin anëtarë të komuniteteve, i kemi luftuar e zmbrapsur nga territori i Republikës së Kosovës. Qytetarët tanë në secilin lokalitet, si në Rëvatska ashtu edhe në të gjithë territorin tonë, duhet të jetojnë të lirë dhe pa frikë në jetësimin e vullnetit të tyre./Arbresh.info
Molliqaj nga PSD thirrje diasporës: Votoni sa më shumë në kë...
I kërkuar nga Italia për trafik droge, 54-vjeçari arrestohet...
Putin refuzon ofertën e Zelensky-t për takim: Nuk e shoh të ...
SHBA paralajmëron rishikim të pranisë në Bosnje pas përplasj...
Sherr me grushte dhe sende të forta në Sarandë, përfundon në...
Ukraina kryen sulm masiv me dronë pranë vendlindjes së Putin...