Kurti: Hamza e Abdixhiku s’mu përgjigjën mbrëmë – kur unë kam qenë në opozitë, mua më kanë ndjekur me polici

17:15 | 28 Prill 2026
Q L

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se u ka shkruar mbrëmë Kreut të PDK’së, Bedri Hamzës dhe atij të LDK’së, Lumir Abdixhikut, pikërisht në kohën kur nisi seanca për zgjedhjen e Presidentit, por se nuk ka marrë përgjigje.

Ai madje tha se e kishte të paqartë nëse afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit përfundon sonte në mesnatë apo nesër dhe se ajo ishte arsyeja pse vepruan me emrat që propozuan.

Kurti tha se ai si kryeministër po i shkruan opozitës, e kur ai ishte në opozitë për të “e kishin Policinë”.

“Ne duhej që sa më shpejtë të vepronin. Unë e di që rreth orës 21:00, i kam shkruar edhe Kryetaritt ë PDK’së dhe të LDK’së, por nuk kam marrë përgjigje. Nuk më përgjigjen. Merrni me mend kur kam qenë unë në opozitë më më pas shkru kështu kryeministrat. Mua më kanë ndjek me polici, ju e dini. Kur unë kam qenë në opozitë, për mua e kanë pas policinë. Prej që kam dalë prej burgut të Serbisë, i kam nja 20 arrestime”, tha Kurti.

Ai i bëri thirrje PDK’së e LDK’së që të marrin pjesë në seancën e sotme.

“Ejani në Kuvend të Republikës, se aty është vendi jonë. Dikur kanë qenë shumicë ata, nuk janë tash. Nuk mund të thuash po e mbroj shtetin duke bllokuar procesin e duke bojkotuar seancën”, shtoi Kurti.

Sipas Kurtit, Hamza e Abdixhiku s’kanë pasur asnjëherë interesim për të komunikuar me të.